Një grup i gjerë profesorësh nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” i janë drejtuar me një letër të hapur partive politike, Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit ku kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me Propozim-ligjin për arsimin e lartë. Përmes këtij reagimi publik, nënshkruesit vlerësojnë se disa nga zgjidhjet e propozuara përbëjnë një ndërhyrje serioze në autonominë universitare të garantuar me Kushtetutë, veçanërisht me parashikimin e “Këshillit Universitar”.
Sipas profesorëve, ky organ i ri, ku një pjesë e anëtarëve emërohen nga Qeveria, merr kompetenca zëvendësuese ndaj Senatit dhe Rektoratit, duke hapur rrugën për ndikim të drejtpërdrejtë politik në menaxhimin institucional. Përveç kësaj, profesorët alarmojnë se dispozitat që lejojnë shkrirjen ose fuzionimin e universiteteve me iniciativë të Ministrisë, pa pëlqimin e kualifikuar të njësive akademike, krijojnë pasiguri juridike dhe paqëndrueshmëri për stafin dhe studentët.

