Organizata joqeveritare “Mollëkuqja” është shprehur e shqetësuar me propozimin e kryetarit të partisë Alternativa, Zeqirja Ibraimi që në aktin më të lartë juridik, Kushtetutë, familja të përkufizohet vetëm si “bashkësi mes një burri dhe gruaje, që lidhet me celebrim publik, qoftë religijioz ose civil” si dhe deklaratën që “të gjitha trajtat e tjera të bashkëjetesës që synojnë të quhen familje, përpos që janë surogate të papranuara për ne, janë edhe betejë kundër vlerave në të cilat ne besojmë, përcjell TV21.
Nga “Mollëkuqja” vlerësojnë se “Maqedonia e Veriut është shtet demokratik që njeh disa lloje të familjeve, propozimet përmes të cilave synojnë të cënojnë të drejtat themelore dhe barazinë janë të papranueshme. Zeqirja Ibraimi dhe partia e tij besimet e këtilla mund t’i mbajnë për vete, por nuk do të lejojmë që t’i imponojnë në Kushtetutë”.
Më tej në reagim shtojnë:
““Mollëkuqja” i kujton Ibraimit se jeton, paguhet dhe i shfrytëzon të gjitha të mirat e një shteti ku ligji njeh disa lloje të familjes, dhe jo vetëm ata që janë të formalizuara me martesë. Familje janë edhe bashkësitë jashtëmartesore, familjet birësuese, nënat e vetme që vendosin të bëjnë fëmijë në rrugë artificiale, familjet me një prind si dhe bashkësitë ose format tjera të jetesës së përbashkët.
Propozimi për të kufizuar përkufizimin e familjes në Kushtetutë vetëm si një bashkësi e formalizuar midis burrit dhe gruas do të përjashtonte shumë qytaterë nga mbrojtja ligjore dhe do të binde ndesh me ligjet për barazi dhe mosdiskriminim. Për ‘Mollëkuqja’ kjo gjithashtu bije ndesh me standardet demokratike dhe detyrimet ndërkombëtare të vendit për të mbrojtur të drejtat e njeriut.
Zeqirja Ibraimi gjithashtu duhet ta dije se jeton në një shtet ku personat me orientime të ndryshme seksuale dhe gjinore ekzistojnë dhe janë këtu, propozimi që ata të diskriminohen edhe në aktin më të lartë të shtetit, siç është Kushtetuta, bije ndesh me ligjet pozitive të vendit si dhe konventat ndërkombëtare.
Maqedonia e Veriut gjithashtu është nënshkruese e konventave ndërkombëtare të cilat obligojnë vendin të respektojë parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit për të gjitha format e familjes. Ibraimi nuk mund që bindjet e tija personale dhe të një grupi të vogël të tentojë t’i imponojë në Kushtetutë.
Kujtojmë që nëse në Kushtetutë do të futej një përkufizim i martesës dhe familjes ashtu siç propozon Ibraimit, do të krijohej një bazë ligjore për diskriminim institucional ndaj individëve që nuk përfshihen në atë përkufizim. Kushtetuta duhet të pasqyrojë vlerat e gjithë shoqërisë, jo të një partie politike apo grupi të caktuar.
Partia ‘Alternativa’ përkundër që është grupim lokal i një grushti të njerëzve, pothuajse nga themelimi deri sot ka qenë pjesë e çdo qeverie, edhe pse asnjëherë nuk është provuar fer në zgjedhje ndërsa në çdo anketë del e fundit. Për ne është skandaloze që një parti e tillë propozon të imponojë ‘vlerat’ e një grupi të vogël të njerëzve në Kushtetutë, gjë që përbën rrezik për demokracinë”.