Letër e hapur drejtuar znj. Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit
Lidhur me mungesën e linjës së transportit publik Batincë–Shkup dhe anasjelltas
E nderuara znj. Arsovska,
A jetoni në të njëjtin qytet me ne apo në ndonjë realitet paralel ku qytetarët nuk kanë nevojë të udhëtojnë për në punë, shkollë apo spital? Sepse vetëm në një realitet të tillë mund të shpjegohet mungesa e turpshme dhe e pajustifikueshme e linjës së transportit publik Batincë–Shkup dhe anasjelltas.
Banorët e Batincës nuk kërkojnë privilegje, por një të drejtë themelore, lirinë e lëvizjes. Në vitin 2025, të mos kesh një linjë autobusi funksionale që lidh fshatin me kryeqytetin është një tallje e pastër me qytetarët, një shpërfillje e thellë ndaj nevojave bazike dhe një dështim i plotë institucional.
Kryetare, nuk është hera e parë që ky problem ngrihet. Por, për fat të keq, është hera e disatë që ju heshtni, ose më keq akoma, bëni sikur nuk dëgjoni. Mos veprimi juaj është një ofendim për banorët që paguajnë taksa dhe kontribuojnë në këtë qytet njësoj si çdo qytetar tjetër i Shkupit.
Kërkojmë rikthimin urgjent të linjës së transportit publik Batincë–Shkup dhe anasjelltas, me kohë të rregullt dhe kushte dinjitoze. Ky nuk është një rekomandim, por një kërkesë legjitime dhe e panegociueshme.
Dhe nëse për një moment mendoni se ky është i vetmi dështim që po ju ngarkon, mjafton të hidhni një sy Shkupit, mbeturinat dhe kaosi urban po e mbysin kryeqytetin. Ju nuk po arrini as të pastroni rrugët, e lëre më të lidhni një fshat me qendrën që pretendoni se e drejtoni. Shkupi është shndërruar në një deponi të hapur, e ju në simbol të neglizhencës dhe dështimit.
Nëse vazhdoni të injoroni këtë çështje, atëherë prisni përgjigjen tonë: në rrugë, në institucione dhe në çdo formë ligjore që kemi në dispozicion. Batinca nuk do të heshtë përballë padrejtësisë dhe neglizhencës. Presim veprim, jo justifikime. Dhe këtë herë, jo “kur t’ju kujtohemi”.
Me mosrespekt,
Nurxhane Asanovska