Mbrëmja e kaluar ishte e mallkuar për Lakers, të cilët përveç superioritetit të dukshëm të Thunder duhet që të bënin llogaritë edhe me dëmtimin e yllit të ekipit, Luka Donçiç.
Në periodën e tretë basketbollisti që mbërriti nga Dallas ankoi një dhimbje në këmbën e majtë. Në momentin që tentoi t’i shmangej mbulimit të Jalen Williams duket se rëndoi edhe më shumë dëmtimin, i cili e detyroi që të braktiste parketin me 12 pikë të shënuara.
Në fund të ndeshjes, të fituar bindshëm nga Thunder me shifrat 139-96, trajneri i Lakers zbuloi planin që kishte ndërtuar me stafin e tij për të përmbysur fatet e takimit. “Në pushimin e madh Luka u trajtua nga stafi i mjekëve. Ne menduam që të aktivizonim titullarët në 6’ e para të periodës së tretë për të rihapur ndeshjen”, tha JJ Redick pas ndeshjes duke konfirmuar se shqetësimi i Donçiç ishte më i rëndë nga ç’mendohej.

