Personat që aplikojnë për shtetësi në Gjermani tani do t’u kërkohet të pohojnë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, sipas ndryshimeve në ligjin e shtetësisë së vendit, shkruan CNN.
Legjislacioni, i cili hyri në fuqi të enjten [dje], është ndryshimi më i madh për çështje të shtetësisë nga Berlini, ndërsa qeveria po përballet me antisemitizmin në rritje, rritje të popullaritetit për të djathtën ekstreme dhe debatin e ashpër mbi përgjigjen e saj ndaj luftës së Izraelit në Gaza.
Provimi për marrje të shtetësisë gjermane tani do të përfshijë një numër pyetjesh të reja, sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme.
“Në përgjigje të rritjes së antisemitizmit në Gjermani, lista e pyetjeve në testin e shtetësisë është zgjeruar. Pyetjet e reja të provimit janë shtuar mbi temat e antisemitizmit, të drejtën e shtetit të Izraelit për të ekzistuar dhe jetën hebreje në Gjermani”, thuhet në njoftim.
Lufta në Gaza dhe mbështetja e fortë e Berlinit për Izraelin, ka nxitur shumë diskutime në Gjermani. Pas sulmeve të 7 tetorit, ligjvënësit gjermanë, përfshirë kancelarin Olaf Scholz, përsëritën se siguria e Izraelit është “arsyeja shtetërore” e Gjermanisë ose çështje e interesit kombëtar.
Por zëra të tjerë në vend kanë akuzuar autoritetet se kanë shkuar shumë larg, duke shkelur të drejtat e pro-palestinezëve për lirinë e fjalës.
Gjermania ka diasporën më të madhe palestineze në Evropë, e cila vlerësohet në 300 mijë.