Gjykata Kushtetuese e vendit bën të ditur se vendimi lidhur me dekretin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të merret pasi të përfundojë shqyrtimi i plotë i të gjitha çështjeve kushtetuese që lidhen me rastin në fjalë.
Kështu, Kushtetuesja vendos masë ndaj dekretit të Presidentes deri më 31 mars.
“Gjykata, më 9 mars 2026, vendosi njëzëri: I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës masën e përkohshme me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026 të 6 marsit 2026, si dhe të ndalojë çdo veprim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kohëzgjatjen e përcaktuar sipas pikës II të këtij Vendimi; II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 9 mars 2026, në kohëzgjatje deri më 31 mars 2026”, thuhet në njoftimin e Kushtetuese.

/Kosovapress/

