Kush po pasurohet nga kriza e naftës?

3 Min. Leximi

Tregu global i naftës po përjeton luhatje të forta si pasojë e konfliktit në Iran, duke reflektuar ndikimin e drejtpërdrejtë të gjeopolitikës në xhepat e konsumatorëve.

Të dhënat federale konfirmojnë se çmimi i naftës bruto në SHBA, u rrit nga gjashtëdhjetë e gjashtë dollarë për fuçi në fund të shkurtit, në njëqind e një dollarë në mes të prillit, pas sulmeve të koordinuara ndaj Iranit.

Si lënda kryesore djegëse e ekonomisë industriale, nafta mbetet malli më kritik në sistemin global. Kur oferta e saj ndryshon papritur – si në rastin e mbylljes së Ngushticës së Hormuzit- çmimet rriten ndjeshëm në një kohë rekord.

Por ndërsa konsumatorët paguajnë më shumë për transport, plastikë dhe plehra kimikë, ngrihet pyetja: ku shkojnë konkretisht këto para shtesë? Pjesa dërrmuese e të ardhurave përfundon te kompanitë e naftës dhe qeveritë që kontrollojnë burimet.

Edhe pse destinacioni final i parave ndryshon sipas rregulloreve vendase dhe mjedisit të biznesit. Në Lindjen e Mesme, pavarësisht rreziqeve të shtuara për sigurinë dhe infrastrukturën si pasojë e luftës, kostot e prodhimit mbeten relativisht të ulëta.

Në vende si Arabia Saudite, ku shteti kontrollon pothuajse të gjithë sektorin, çmimet e larta shërbejnë kryesisht për të financuar shpenzimet publike dhe investimet strategjike qeveritare.

Ndërkohë, në Pellgun Permian të Teksasit, SHBA, kompanitë amerikane po arkëtojnë një fitim rekord pasi çmimet rriten shumë më shpejt se sa kostot operacionale.

Këto të ardhura shkojnë kryesisht te aksionarët përmes dividentëve dhe blerjes së aksioneve, si dhe në investime për shpime të reja që synojnë rritjen e kapaciteteve në afatgjatë.

Një model tjetër vërehet në Detin e Veriut. Në Britani, përfituesit janë një miks i aksionarëve privatë dhe arkës së shtetit përmes taksave shtesë mbi fitimin.

Ndërkaq, Norvegjia i transferon këto të ardhura në Fondin e Pensioneve Qeveritare, i cili tashmë ka kaluar vlerën e 2 trilionë dollarëve, duke siguruar pasurinë për brezat e ardhshëm.

Krejt ndryshe paraqitet situata në Rusi. Edhe pse nën sanksione të rrepta, industria dominohet nga kompani shtetërore dhe figura të afërta me Kremlinin. Përfituesit kryesorë të rritjes së çmimeve këtu mbeten oligarkët dhe kompleksi ushtarako-industrial i Putinit, duke lënë mënjanë popullsinë e thjeshtë. /tesheshi.com/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull