Kurtishi: Me tërheqjen e interpelancës së Frontit Evropian ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi shmangu një precedent të rrezikshëm juridik

2 Min. Leximi

Juristi Emir Kurtishi ka reaguar pas vendimit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për të hequr nga rendi i ditës interpelancën e iniciuar nga Fronti Evropian ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë hap si shmangie të një precedenti të rrezikshëm juridik dhe parlamentar.

Sipas Kurtishit, një veprim i tillë nuk njihet në asnjë sistem parlamentar në botë, pasi Gjykata Kushtetuese nuk bën pjesë në ndarjen klasike të pushteteve – legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor – por qëndron mbi to, duke iu referuar drejtpërdrejt Kushtetutës. Ai thekson se vendimet e kësaj gjykate janë përfundimtare, të ekzekutueshme dhe nuk i nënshtrohen asnjë kontrolli më të lartë.

- Advertisement -

“Gjykata Kushtetuese ka të drejtë të shfuqizojë ligje të Kuvendit dhe akte të Qeverisë, prandaj përpjekjet për kontroll politik mbi të janë të rrezikshme dhe cenojnë rendin kushtetues,” shkruan Kurtishi.

- Advertisement -

Ai sjell në vëmendje debatet ndërkombëtare mbi këtë temë, duke përmendur pyetjen që kishte ngritur në vitin 1971 profesori amerikan Mauro Kapaleti: “Kush do të na mbrojë nga kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve?”, si dhe përgjigjen e profesorit japonez Joiçi Higuçi: “Profili intelektual dhe shkencor i gjyqtarit”.

Kurtishi shton se interpelanca si mjet parlamentar i mbikëqyrjes politike është i destinuar për Qeverinë dhe bartësit e funksioneve ekzekutive. Edhe pse Kushtetuta e RMV-së e ka zgjeruar konceptin e interpelancës edhe për funksionarë publikë, ai thekson se kjo nuk mund të shtrihet mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. “Kompetencat e Kuvendit përfundojnë me zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, dhe jo me mbikëqyrjen apo interpelancën e tyre,” nënvizon ai.

Sipas tij, balancimi i pushteteve dhe pavarësia e Gjykatës Kushtetuese janë themel i shtetit të së drejtës, dhe çdo përpjekje për ta cenuar atë është goditje ndaj vetë rendit kushtetues.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull