PËRFAQËSIMI ADEKUAT DHE I DREJTË NË RMV
Shkruan: Emir Kurtishi
Në vendet e civilizuara perëndimore, për zgjidhjen e një problematikeje shtetërore, mjafton të miratohet një dokument juridik ku garantohen të drejta dhe detyrime të caktuara apo të sillet një ligj për rregullimin e një fusheje përkatëse edhe pse abuzime mund të ketë me të njëjtat, por jo në përmasat e atilla që të luhatet besimi apo funksionimi normal i institucioneve shtetërore, e nëse ndodhin, tejkalohen me detektimin e mangësive dhe përmirësimin e të njëjtave. Në raste të tilla, mbi të gjitha, vullneti politik është esencial për zgjidhjen e të gjitha problemeve.
Përfaqësimi adekuat dhe i drejtë është parim kushtetues sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përkatësisht, vlerë themelore e rendit kushtetues, e përcaktuar me nenin 8, paragrafi 1, alineja 2, ku garantohet shprehja e lirë e përkatësisë kombëtare si dhe përfaqësimi adekuat dhe i drejtë i qytetarëve, të cilët u takojnë të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.
Kjo vlerë kushtetuese, ka qenë e plotësuar me Amendamentin VI të vitit 2001. Bëhet fjalë për shprehje të lirë të përkatësisë etnike dhe përfaqësim adekuat dhe të drejtë të bashkësive etnike në strukturën shtetërore dhe në jetën publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas profesorit të së drejtës kushtetuese Svetomir Shkariq mbi komentimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në këtë dispozitë kushtetuese bëhet fjalë për dy vlera me pika të përbashkëta, por edhe me përmbajtje të ndryshme. Vlera e parë, shprehja e lirë e përkatësisë etnike është e drejtë personale e çdo njeriu dhe qytetari që ta shprehë apo të mos e shprehë përkatësinë etnike. Vlera e dytë, është e drejtë kolektive e përkatësisë së bashkësive etnike (pakicë), që të jenë të përfaqësuara në mënyrë adekuate dhe të drejtë në organet shtetërore dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet.
Siç vëren profesori, në vitin 2011, Robert Badenter, njëri ndër krijuesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ka shprehur mendimin se përfaqësimi adekuat dhe i drejtë, sipas parimit etnik nuk është zgjidhje për Republikën e Maqedonisë së Veriut, sepse krijon grupe të privilegjuara dhe rrezikon që ta paralizojë administratën shtetërore: “Ajo nuk është zgjidhje, sepse rrezikon që ta paralizojë administratën dhe të krijojë grupe me të gjitha privilegjet dhe përparësitë, në vend që të krijojë një popull të vetëm, një bashkësi etnike. Parimi etnik, rrezikon që ta përkeqësojë atë që, në esencë, duhet të tejkalohet”.
Mund të thuhet se edhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese me numër 90/2024, është në funksion të kësaj, me rastin e shfuqizimit të të ashtuquajturit mekanizmi për sigurimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë me rastin e punësimit, të njohur si “Balancues”.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në këtë vendim përveç dispozitave të ligjeve pozitive dhe kushtetutës, është thirrur edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023, që lidhet me përparimin e vendit. Në rezymenë e raportit nga korriku i vitit 2022 deri në qershor të vitit 2023, në të janë përfshirë edhe rezultatet e vlerësimeve kushtetuese dhe indekset e krijuara nga palët e tanguara, përkatësisht nga fusha e sundimit të së drejtës, ku në pjesën e administratës publike theksohet se: “Maqedonia e Veriut, edhe më tutje mesatarisht është e përgatitur në raport me reformën në administratën publike. Në periudhën e raportit është arritur një përparim i kufizuar me sjelljen e strategjisë për reforma në administratën publike dhe shoqërimin e planit aksional në korrik të vitit 2023. Edhe përskaj asaj që procesi filloi para pesë viteve, vendi ende nuk e ka sjellë kornizën reviduese ligjore për avancimin e resurseve njerëzore, që e përfshin revidimin e Ligjit për Nëpunësit Administrativ, Ligji për të Punësuarit në Sektorin Publik dhe dispozitat e tjera ligjore për shërbimin e lartë udhëheqës. Korniza e re, duhet ta përmirësojë avancimin e resurseve njerëzore në administratë dhe të ndihmojë që të sigurohen punësimet, avancimet dhe shkarkimet të realizohen bazuar në meritë në të gjitha nivelet, përfshirë edhe udhëheqjen e lartë”.
Në klasterin 1 të këtij raporti, mes tjerash, jepen vëzhgime dhe rekomandime, si: “Përqindja që shfrytëzohet në formulën për “Balancuesin” – mjet për resurset njerëzore që e përcakton përqindjen e të punësuarve në sektorin publik të çdo grupi etnik – edhe më tutje është dëshpëruese. Formula e reviduar e përfshinë popullatën jorezidente dhe nuk e merr parasysh përqindjen e qytetarëve që nuk e kanë shprehur përkatësinë etnike në regjistrim…”.
Në funksion të heqjes së përkatësisë etnike ka qenë edhe Vendimi me numër 92/2023 më datë 28.02.2024 i Gjykatës Kushtetuese me rastin e shfuqizimit të dispozitave të Ligjit për Evidencën Amë, ku shpreh qëndrimin se përkatësia etnike është ndjenjë personale e qytetarit dhe si e tillë mund të ndryshohet dhe se e drejtë personale e tij është të vendosë nëse do ta shprehë dhe si do ta shprehë përkatësinë e vet, por edhe është e drejtë që të vendosë që të mos e shprehë. Sipas gjykatës, shprehja e përkatësisë etnike, përkatësisht, përkatësia e bashkësisë së caktuar, si dhe mundësia për përpunimin e kësaj të dhëneje, nuk mund të jetë imponuese si detyrim ligjor i obliguar për qytetarin.
Të dhënat si emri, mbiemri, numri amë, data dhe vendi i lindjes, adresa dhe vendbanimi, adresa elektronike e postës dhe të ngjajshme, sipas gjykatës, është e logjikshme dhe e kuptueshme se janë të relevante për personin, megjithatë, të dhënat për përkatësinë etnike, gjykata vlerëson se nuk mund të jetë e dhënë relevante që të regjistrohet dhe të paraqitet kandidati për punësim, më saktë, kjo e dhënë është irelevante për qëllimet e punësimit, dhe si e tillë, nuk mund të jetë lëndë e përpunimit mes të dhënave të tjera themelore, sepse të dhënat që shpalosin informacione për përkatësinë etnike apo racore për subjektin sipas Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (EU 2016/679 – General Data Protection Regulation), janë “të dhëna të ndjeshme” ose të dhëna të klasifikuara si kategori e veçantë e të dhënave personale. Mbledhja e kësaj të dhëneje personale, siç vlerëson gjykata, është jokushtetuese, duke pasur parasysh nenin 8, paragrafi 1, alineja 2 të kushtetutës sonë.
Propozim Ligji i ri për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejtë, është nisur nga fakti bazuar në këto vërejtje dhe në qëndrimin e gjykatës, për t’i korigjuar gabimet e vjetra dhe të gjejë zgjidhjen e tyre në frymën e respektit, afirmimit, avancimit dhe ndjekjes së përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve që i takojnë bashkësisë së të gjitha etnive në organet shtetërore dhe në institucionet e tjera publike në të gjitha nivelet si vlerë themelore e rendit kushtetues së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke u bazuar në meritë, mundësi të barabarta për të gjithë, mosdiskriminim, në kompetencë, profesionalizëm dhe në integritetin e qytetarëve gjatë punësimit si dhe në llogaridhënie, me çka synohet të arrihet një inkluzivitet dhe kohezion më i madh social.
Duke i pasur parasysh argumentet si më sipër, miratimi i një ligji të këtillë, është i patjetërsueshëm, për vetë faktin se edhe në raportet e Avokatit të Popullit, për dekadën e kaluar, kjo vlerë kushtetuese pjesërisht është realizuar, përkatësisht, gjendja faktike shënon se gjendja me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë është përmirësuar, por ky përmirësim është i manipuluar, për shkak të përhapjes së fenomenit ku përkatësia etnike është ndryshuar për çdo punësim, gjë që sipas kushtetutës sonë është e lejuar. Kësisoj, edhe pse Balancuesi ka qenë funksional, sërish institucionet tona, nuk kanë qenë imun për t’i ndaluar fenomenet e tilla dhe si pasojë sot përballen me një mungesë të pasqyrës së saktë dhe reale të numrit apo përqindjes së përfaqësimit të bashkësive etnike.
Propozimi i ligjit të ri, fillimisht mëton të arrijë në një pasqyrë më të saktë të asaj se si qëndron gjendja në institucionet shtetërore dhe publike me përfaqësimin adekuat dhe të drejtë, edhe atë përmes krijimit të një Trupi Koordinativ për Ndjekjen e Përfaqësimit Adekuat dhe të Drejtë, trup i cili do të gëzojë kompetenca ekzekutive dhe me masat e tjera në dispozicion që do t’ia njeh ligji, për të realizuar revizion të politikave, programeve dhe planeve për punësim dhe avancim në sektorin publik, me qëllim avancimin e përfaqësimit. Pra, ky trup, nuk do të jetë një trup disido, sepse me vetë faktin që do të funksionojë në kompetenca të Qeverisë së RMV-së, aludon për çështje të ndjeshme dhe tejet serioze për shoqërinë tonë.
Për arritjen e objektivave të ligjit, natyrisht se duhet të kalojë një periudhë kohore në formimin dhe në ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi, se për herë të parë po jetësohet një parim kushtetues, që ka qenë pjesërisht i realizuar, për të mos thënë i deformuar me Balancuesin. Meqë kemi të bëjmë me një parim kushtetues, ligjit do t’i kushtohet një kujdes maksimal, duke i dhënë primatin mbi të gjitha ligjet e tjera përkatëse, për prodhimin e rezultateve të përcaktuara. Së këndejmi, në përputhje me propozim ligjin e ri, do të zgjidhet edhe problematika e mbipërfaqësimit të një bashkësie etnike në administratën shtetërore, me ç’rast do të bëhet ridistribuimi i tyre, përkatësisht, punësimet e reja do të realizohen duke afirmuar bashkësinë tjetër etnike (diskriminimi pozitiv).
Ligji edhe pse i vonuar, sërish është shpresëplotë. Shpresë për t’i dhënë fund abuzimeve dhe manipulimeve dhe njëherë e përgjithmonë për ta zgjidhur nyjën e një praktikeje të vendosur me këtë instrument për ndryshimin e përkatësisë etnike, sipas klimës së punësimit dhe përgjigjen e pyetjeve të papërgjigjura të mikrofonave të mediave, drejtuar drejtuesve të institucioneve, se a janë të vetëdijshëm se të punësuarit e rinj, i takojnë përkatësisë tjetër etnike nga ajo çka e kanë deklaruar me rastin e punësimit!?
Me këtë ligj, njashtu, shpëtojnë edhe të punësuarit e rinj nga deklaratat interne të nënshkruara në fshehtësi për ndryshim të përkatësisë etnike, nga arkivimi i tyre dhe nga përpunimi si e dhënë personale, gjë që sipas standardeve evropiane ky synohet të anëtarësohet tash e një kohë Republika e Maqedonisë së Veriut, kjo praktikë është jokushtetuese!
Për në fund, mund të themi se, në gjuhën latine, ky ligj emërtohet si lex generalis (ligj i përgjithshëm), që pret të rregullohet dhe të precizohet me ligje të veçanta (lex specialis).
Besoj se ligji do të kalojë pa vërejtje të dukshme në Komisionin e Venedikut dhe se në Kuvendin tonë, do të gjejë mbështetjen e duhur, për t’i hapur rrugë jetësimit të parimit kushtetues për përfaqësim adekuat dhe të drejtë të bashkësive në vendin tonë.