Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur në lidhje me ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Ai tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e ka autorizuar kriminelin, Milan Radojçiq për të zhvilluar planin e ndërhyrjes në zgjedhje.
“Serbia orvatet që vendin tonë të mbajë peng jo vetëm në zhvillimin e brendshëm politik, por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe mbylljes së strukturave ilegale. Vetë presidenti i Serbisë ka inkurajuar çdo aktor shtetëror e jo shtetëror serb që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim, rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi, Milan Radojçiq, apo njeriu i cili ka marr detyrat nga presidenti i Serbisë”, tha shefi i qeverisë në konferencën e përbashkët me Nenad Rashiqin, ministrin për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës.


Kurti tha se Serbia ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë, të Nenad Rashiqit.
“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë, të Nenad Rashiqit, ministrit të qeverisë sonë për Komunitete dhe Kthim, dhe Demokracisë Serbe, e poashtu edhe votuesit e subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë e ashkalinj. Përfaqësues të caktuar të pothuajse të gjitha subjekteve serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar edhe në katër komunat veriore”.