Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një takim me diasporën në Londër, në prag të Procesit të Berlinit, ka treguar për ofertën që ia kishte bërë kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të bashkëqeverisur.
Ai ka thënë se ia kishte ofruar postin e nënkryetarit të Kuvendit, një ministri dhe dy zëvendësministra.
“Me Partinë Guxo nëse ajo i ka gjashtë deputetë jemi marrë vesh për dy ministra. Unë kam qenë i gatshëm Nismës, me tre deputetë, me ja dhënë një ministër, nënkryetarin e Kuvendit. Po të ishte bërë Albulena Haxhiu kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të ishte bërë nënkryetar, sepse ka pesëfish vota më pak se Albulena. E kish marrë një ministri dhe dy zëvendësministra. Katër pozita të larta me tre deputetë. Kjo është racionale, maksimumi i mundshëm. Ama, ma jep mu këtë sepse ta kam gjete ditën, faleminderit”, ka thënë ai.
Për formimin e Qeverisë, Kurti ka thënë se nuk e ka të lehtë, porse janë duke punuar.
Ka shtuar se në skenën politike vendore ka atmosferë të intoksikuar, xhelozi e inate më shumë se ide, punë e pasion.
“Jemi ku jemi këtu dhe po përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe siç po duket alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje, pra ose do ta bëjmë një qeveri ose do të shkojmë në zgjedhje”, ka thënë ai.
Kurti, në videot që i ka publikuar gazetari Ermal Hallaçi dëgjohet duke kritikuar edhe sistemin e drejtësisë në vend.
“Kemi 200 prokurorë dhe 400 gjykatës. Nganjëherë kemi problem me mungesë kompetence, nganjëherë mungesë integriteti dhe nganjëherë të dyja këto”, ka shtuar ai.