Mandatari për formimin e qeverisë, Albin Kurti ka folur para deputetëve të Kuvendit gjatë seancës për votimin e Qeverisë së re.
Ai ka theksuar se vendi ka kaluar mbi gjashtë muaj pa qeveri funksionale, një vonesë që e konsideron të paprecedentë në historinë e Kosovës dhe që ka ndikuar në mbarëvajtjen e punëve shtetërore.
“Këto gjashtë muaj përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat. Asnjëra nga partitë parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Nëse oferta jonë për bashkëpunim do të ishte pranuar, sot do të kishim mundësi të formonim një qeveri të koalicionit dhe të tejkalonim sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajve,” ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se në mungesë të Kuvendit të këtyre muajve, kanë mbetur 33 agjenci pa mbikëqyrje.
“Ngjashëm pa qeveri, është një ditë humbje për zhvillimi, qytetarin dhe shtetin. Nëse nuk votohet qeveria e re, do të zgjatet qeveria në detyrë. Sot nuk jemi këtu për të ndarë pushtet, ndonëse kemi pasur oferta të sinqerta për partitë”, tha Kurti.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim institucional dhe ka theksuar rëndësinë e formimit të qeverisë për stabilitetin e vendit dhe funksionimin e institucioneve.
“Ftoj secilin deputet që të votojë jo për interes partiak, por për interes publik dhe shtetëror”,u shpreh Kurti.
Kurti ka numëruar edhe ato që ka thënë se do të jenë pesë vendimet e para, po që se merr besimin e deputetëve.
“Miratimi i projektligjit të buxhetit 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro që prek 200 mijë pensionist, vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50 për qind, vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe miratimi i ndryshmit të plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët”, ka thënë ai.

