Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ku e fton për një takim për të diskutuar proceset e formimit të institucioneve, Kuvendit dhe Qeverisë.
Kurti ka propozuar dy mundësi për datën e takimit: e mërkura, më 9 prill, në orën 15:00, ose e enjtja, më 10 prill, në orën 09:00 ose 14:00.
Në letër, Kurti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për të siguruar një përfundim të suksesshëm të këtyre proceseve, ndërsa nuk është bërë e qartë nëse kjo ftesë është pjesë e një propozimi për koalicion.
“Me qëllim të konstitutimit të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, e datës 10 prill, në orën 09:00 ose 14:00”, thuhet në letrën e publikuar nga gazeta Express.
Megjithatë, Kurti ka lënë të kuptohet se nuk ka siguruar ende numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë, duke fajësuar Serbinë dhe Milan Radoiçiqin për shantazhimin e deputetëve nga komunitetet pakicë.
Vlen të ceket që Dukagjini ka tentuar të marrë një përgjigje nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, por deri tani nuk ka pasur një deklaratë zyrtare nga ana e partive për këtë ftesë.
Kujtojmë se Kurti ka bërë disa deklarata të forta lidhur me PDK-LDK-AAK, duke përdorur termin “hajvan” për të përshkruar partitë ish-opozitare.
“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit…”, pati thënë Kurti natën e zgjedhjeve.