Kualifikim mes drithërimash i Turqisë, skuadra e Montelës dërgon Çekinë në shtëpi

2 Min. Leximi

Turqia ia ka ndërprerë rrugëtimin Çekisë në fazën e 16-të më të mirave, duke e mposhtur 2-1 në duelin e Grupit F.

Antonin Barak bëri një gabim trashanik qysh në fillim të ndeshjes, duke u përjashtuar nga fusha pas vetëm 20 minutash lojë, shkaku që pranoi dy kartonë të verdhë.

- Advertisement -

Turqit ishin dukshëm më të mirë në pjesën e parë, por që nuk arritën t’i konkretizonin rastet.

Pjesa e dytë nisi edhe më furishëm, kur Turqia realizoi golin e epërsisë.

Ishte Hakan Calhanoglu, ai që realizoi për 1-0 në minutën e 51-të me një asistim te Yuksek.

Por, në minutën e 66-të, Çekia i barazoi shifrat me golin e Tomas Soucek, duke ndezur edhe më shumë sfidën.

- Advertisement -

Çekët ishin në dijeni se vetëm fitorja do t’i kalonte tutje, mirëpo nuk ia dolën të bënin më shumë përballë turqve me këta të fundit që realizuan edhe golin e fitores me anë të Cenk Tosun (90+4′).

Ishte një përballje që do të mbahet mend, së paku për numrin e kartonëve të verdhë, pasi u dhanë 16 sosh, duke vendosur rekord në një Kampionat Evropian.

Portugalia e mbyll si lider i Grupit F me gjashtë pikë, po aq sa ka edhe Turqia, Gjeorgjia me katër dhe Çekia me një.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull