Deputetja Saranda Imeri Stafai ka reaguar ashpër ndaj gjuhës denigruese dhe seksiste që, sipas saj, është përdorur nga Valon Haskaj, bashkëpunëtor i Bujar Osmanit dhe i punësuar nga BDI-ja në Ministrinë për Çështje Evropiane.
Në një reagim me shkrim në faqen e saj në facebook, deputetja Imeri Stafai ka akuzuar BDI-në për promovimin e një kulture diskriminuese dhe seksiste brenda institucioneve shtetërore.
Ajo më tej në reagimin e saj ka shkruar:
“Bujar Osmani, i cili paraqitet në publik si një politikan modern, ka emëruar njerëz që përdorin një gjuhë rrugaçërie dhe përçmuese ndaj grave. Kjo nuk është vetëm një çështje individuale, por një pasqyrë e qartë e historisë së kësaj partie, e cila ka penguar dhe diskriminuar gratë shqiptare që të avancohen në politikë dhe institucione shtetërore.”
Deputetja gjithashtu ka theksuar se sulmi ndaj saj është bërë për shkak të qëndrimeve të saj kritike ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar:
“Sot, më sulmuan dhe më ofenduan për një arsye të vetme: sepse kam guximin të flas hapur për korrupsionin dhe krimin e organizuar që ata e kanë instaluar. E vërteta është e papranueshme për ta, sidomos kur ajo vjen nga një grua.”
Deputetja e Lëvizjes Demokratike Saranda Imeri Stafai ka ftuar publikisht mediat, shoqërinë civile dhe aktivistët që të dënojnë këtë sjellje dhe të ndihmojnë në ndalimin e gjuhës denigruese dhe seksiste ndaj grave:
“Ftoj të gjitha mediat, shoqërinë civile, aktivistet dhe aktivistët që ta dënojnë këtë gjuhë seksiste dhe përçmuese. Asnjë grua nuk duhet të tolerojë një trajtim të tillë, dhe asnjë shoqëri nuk duhet të heshtë përballë këtij degradimi etik dhe moral.”
Reagimi i deputetes Imeri Stafai ka nxitur diskutime të shumta në opinionin publik, duke hapur debat për respektimin e etikës dhe barazisë gjinore në politikë dhe institucionet shtetërore.