Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi i shpalli zgjedhjet për më 19 tetor

2 Min. Leximi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025. Vendimi i është dorëzuar organeve kompetente për organizimin dhe zbatimin e procesit zgjedhor, ndërsa Gashi ka bërë thirrje për një garë të ndershme dhe demokratike.

Ai bëri të ditur se gjatë fushatës zgjedhore, e cila nis 20 ditë para zgjedhjeve, Kuvendi do të vazhdojë funksionimin administrativ, por nuk do të mbajë seanca plenare, për të shmangur përdorimin e foltores parlamentare për qëllime elektorale dhe për t’i dhënë mundësi deputetëve të komunikojnë me qytetarët.

- Advertisement -

“Zgjedhjet nuk janë thjesht një proces teknik, por thelbi i demokracisë sonë. Ato janë mundësia që qytetarët të zgjedhin udhëheqës me përgjegjësi, vizion dhe përkushtim ndaj interesit publik”, theksoi Gashi, duke e cilësuar datën 19 tetor si një moment të rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

- Advertisement -

Ai u bëri thirrje partive politike, kandidatëve dhe strukturave përkatëse që të tregojnë nivel të lartë të kulturës politike, të shmangin fjalorin përçarës, presionet dhe keqpërdorimin e burimeve publike për qëllime partiake.

“Pres që ky proces të jetë dëshmi e pjekurisë sonë demokratike, ku respektohen rregullat, mbizotëron dinjiteti dhe reflektohet vullneti i lirë i qytetarëve, duke demonstruar vlerat dhe standardet evropiane”, tha Gashi, duke uruar sukses për të gjithë kandidatët dhe partitë që do të marrin pjesë në garë.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull