Kryetari i Dibrës, Fisnik Mela priti në takim Ambasadoren e SHBA-së, znj. Aggeler

1 Min. Leximi

Komuna e Dibrës ka njoftuar se kryetari Fisnik Mela zhvilloi sot një takim pune me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, znj. Aggeler. Kjo vizitë shënon gjithashtu vizitën e parë zyrtare të një ambasadoreje gjatë mandatit të sapo nisur të kryetarit Mela.

Nga Komuna bëjnë të ditur se vizita përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes Dibrës dhe institucioneve amerikane që veprojnë në vend, duke hapur mundësi të reja për projekte dhe partneritete strategjike.

Gjatë takimit, kryetari Mela prezantoi projektet prioritare të komunës, me fokus në zhvillimin ekonomik lokal, përmirësimin e infrastrukturës, nxitjen e turizmit dhe avancimin e shërbimeve publike. Ai theksoi se Dibra ka potencial të madh zhvillimor dhe se mbështetja ndërkombëtare është thelbësore për realizimin e projekteve kapitale.

Ambasadorja Aggeler shprehu vlerësimin për vizionin e komunës dhe angazhimin e saj për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve. Ajo ritheksoi gatishmërinë e Ambasadës së SHBA-së për të mbështetur iniciativat që fuqizojnë institucionet lokale dhe promovojnë zhvillim të qëndrueshëm.

Takimi u mbyll me dakordimin për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të eksploruar mundësi të reja partneriteti në fusha me interes të përbashkët.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull