Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka realizuar një intervistë me gazetarin zviceran Benjamin von Wyl nga platforma prestigjioze Swissinfo, ku në qendër të bisedës ishte progresi i demokratizimit të vendit dhe bashkëpunimi i gjatë ndërmjet Kuvendit dhe Ambasadës së Zvicrës.

Gashi njoftoi se gazetari zviceran shfaqi interes të veçantë për rolin që programet zvicerane luajnë në forcimin institucional, avancimin e reformave, procesin e digjitalizimit, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e demokracisë në vend.

Gjatë intervistës, kryeparlamentari theksoi përkushtimin e tij për të garantuar funksionimin e plotë të demokracisë parlamentare, përmes dialogut politik, konsensusit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale.

Ai gjithashtu vlerësoi lart mbështetjen dhe bashkëpunimin e Zvicrës, duke e cilësuar atë si një partner strategjik dhe të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt zhvillimit demokratik dhe institucional.

Intervista pritet të publikohet së shpejti në Swissinfo, ndërsa Gashi konfirmoi se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të zgjerohet në fusha me interes të përbashkët.