Kryeparlamentari Gashi në Uashington: Dialogu strategjik me SHBA-të, kyç për zhvillimin demokratik të Maqedonisë së Veriut

2 Min. Leximi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Uashington, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), Daniel Twining, si dhe me Drejtorin Rajonal për Europën dhe Euroazinë, Stephen Nix.

Gashi bëri të ditur se në fokus të takimit ishin mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dhe rëndësia e dialogut strategjik ndërmjet Shkupit dhe Uashingtonit.

“Në kuadër të vizitës sime në Uashington, SHBA, zhvillova një takim me z. Daniel Twining, Kryetar i Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) dhe z. Stephen Nix, Drejtor Rajonal për Europën dhe Euroazinë,” shkroi Gashi.

Ai vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme të IRI-it në forcimin e institucioneve demokratike dhe kapaciteteve parlamentare në vend.

“Vlerësova mbështetjen e vazhdueshme të IRI-it për forcimin e kapaciteteve parlamentare dhe standardeve demokratike,” theksoi kryeparlamentari.

Sipas Gashit, kontributi i IRI-it ka qenë i rëndësishëm edhe në zhvillimin e kulturës politike përmes programeve të ndryshme dhe projekteve afatgjata.

“Nënvizova kontributin e çmuar në zhvillimin e kulturës politike përmes programeve të ndryshme, si dhe rolin e këtij partneriteti në zhvillimin institucional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar,” shtoi ai.

Vizita e Gashit në SHBA vlerësohet si pjesë e përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, me fokus në demokraci, institucione të qëndrueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull