Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në Stamboll në Konferencën Ekonomike/B2B të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare në Turqi, një ngjarje e rëndësishme që synon forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes bizneseve shqiptare dhe turke.
Në një njoftim të publikuar, Gashi thekson se konferenca përbën një platformë të vlefshme për krijimin e partneriteteve të reja dhe lidhjen e aktorëve ekonomikë nga të dyja vendet.
“Në Stamboll, pata kënaqësinë të marr pjesë në Konferencën Ekonomike/B2B të organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare në Turqi, një platformë e rëndësishme që lidh bizneset shqiptare dhe turke drejt partneriteteve të reja”, shprehet ai.
Kryeparlamentari vuri në pah edhe rolin e institucioneve në mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe investimeve.
“Në fjalën time theksova përkushtimin e institucioneve për të mbështetur sinergjinë mes bizneseve, duke krijuar një klimë të favorshme për investime, dialog të hapur me sipërmarrësit, lehtësim të barrierave dhe ndërtim të një mjedisi që garanton zhvillim të përbashkët”, nënvizoi Gashi.
Në fund, ai përgëzoi organizatorët për iniciativën, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.
“Përgëzova Rrjetin Global i Bizneseve Shqiptare në Turqi për këtë iniciativë të vlefshme që nxit projekte të reja dhe ura të reja që lidhin njerëz, tregje dhe shtete”, përfundon njoftimi i kryeparlamentarit.

