Kripto në Maqedoninë e Veriut: Teknologji që nuk pret leje

13 Min. Leximi

Gjatë adoleshencës Darko ka qenë një gejmer dhe mjaftueshëm i mirë në lojën “Dota” për të marrë pjesë në gara ku çmimet jepeshin në formën e Bitcoin, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

“Isha një djalosh 18-vjeçar, nuk e merrja seriozisht. Çdo muaj merrja nga 10-20 Bitcoin dhe gjatë gjithë kohës i përdorja për të blerë video lojëra të tjera”, tha ai për BIRN.

- Advertisement -

Kur e hapi klinikën e tij dentare në vitin 2016, për herë të parë rreth një dekade më vonë atij i shkoi në mendje kjo temë kur një punonjësja e tij donte të blinte një kartë grafike për të “nxjerrë” Bitcoin. Me një dozë talljeje Darko filloi ta bindte atë se Bitcoin nuk kishte kurrfarë vlere. Por, kjo e intrigoi dhe e shtyu të kontrollonte në internet se çfarë po ndodhte me kriptovalutat.

U habit shumë kur pa që vlera e tyre ishte rritur në më shumë se 20.000 dollarë. E kuptoi shpejt se kriptovalutat ishin bërë një biznes shumë serioz, kështu që vendosi të rifutej në këtë fushë.

Çfarë janë kriptovalutat?
Kriptovalutat janë asete digjitale që u shfaqën si metoda alternative për pagesë pas krizës financiare të vitit 2008, kur një numër i madh i njerëzve e humbën besimin në sistemin tradicional bankar.

Darko nuk është emri i tij i vërtetë. Ashtu si edhe kriptoentuziastët e tjerë me të cilët biseduam, ai këmbënguli që të mbetej anonim.

- Advertisement -

Edhe pse kriptovalutat po bëhen gjithnjë e më të pranishme kjo fushë është ende në një zonë gri. Njerëzit shpesh i ngatërrojnë kriptovalutat me skemat piramidale, mashtrimet ose krimin. Përveç kësaj, në Maqedoni nuk ka rregullore për kriptovalutat, që do të thotë se ata që kanë investuar në kriptovaluta nuk kanë një mënyrë të qartë për t’i futur këto mjete në sistemin financiar formal.

Tek ata ekziston frika se nëse flasin publikisht për këtë temë, ka shumë gjasa që autoritetet kompetente tu trokasin në derë.

Kryeministri Hristijan Mickoski që nga fillimi i mandatit të tij ka premtuar rregullimin e tregut të kriptovalutave, gjë që sipas tij, do të thotë një fluks më i madh parash në shtet dhe buxhet.

Gjatë vizitës së Kryeministrit në Uashington për inaugurimin e Presidentit Donald Trump biznesmeni kanadez me origjinë nga Maqedonia dhe pronar i rrjetit social “Rumble”, Kris Pavllovski, e lidhi udhëheqësinë shtetërore të Maqedonisë me përfaqësues nga “Tether”, një nga kompanitë më të mëdha të kriptovalutave në botë.

Si vazhdim i këtij bashkëpunimi në mesin e muajit maj Kryeministri priti në Shkup Giancarlo Devasinin, pronarin e Tether, së bashku me drejtorin e kompanisë, Paolo Ardoino.

Pavllovski në këtë vizitë e shoqëroi ekipin e “Tether” dhe madje e intervistoi Ardoinon në biznes-konferencën “Maqedonia 2025”.

Sinjalet që i dërgojnë këta lojtarë të mëdhenj, së bashku me udhëheqësinë shtetërore, janë se Maqedonia është një vend tërheqës për industrinë e kriptovalutave.

Si shembull e marrin El Salvadorin, një vend i vogël i Amerikës Qendrore, i cili në vitin 2021 u bë vendi i parë që njohu Bitcoin-in si pjesë të sistemit të tij ekonomik dhe i detyroi të gjithë faktorët ekonomikë në vend ta pranonin atë për pagesë.

Nën presionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar këto politika pjesërisht u tërhoqën dhe kompanitë nuk janë më të detyruara të pranojnë pagesa me Bitcoin nëse nuk duan.

Megjithatë, El Salvadori mbetet sinonim i parajsës së kriptovalutave sepse është vendi ku pagesat me kriptovaluta janë më të integruara.

“Më pëlqejnë shumë vendet e vogla sepse ato përshtaten më shpejt”, tha Ardoino gjatë vizitës së tij në Maqedoni.

Treg i parregulluar
Nga njëra anë, mungesa e ligjeve dhe organeve rregullatore adekuate hap mundësi për transaksione të paligjshme, pastrim të parave dhe financim të terrorizmit.

Nga ana tjetër, ata që thjesht kanë investuar në tregun e kriptovalutave mund të hasin në probleme të shumta, nga tatimi joadekuat, e deri te refuzimi i këtyre mjeteve në banka.

Për të fituar një pasqyrë më të mirë për praninë e kriptovalutave në Maqedoni BIRN realizoi një anketë dhe mori përgjigje anonime nga rreth 90 persona.

Përmes anketës ne kontaktuam me më shumë persona nga komuniteti i kriptovalutave. Njëri prej tyre është Gorani, një banor i Shkupit rreth të 40-ave, i cili tashmë për më shumë se shtatë vjet merret me kriptovaluta. Ai ka marrë pjesë në më shumë projekte me kriptovaluta, ndonjëherë si testues i teknologjisë, ndonjëherë si investitor. Nga disa projekte ka fituar para, ndërsa nga disa edhe ka humbur.

Në mesin e përdoruesve të kriptovalutave ka edhe zyrtarë. Drejtori i Drejtorisë së Zbatimit të Sanksioneve, Aleksandar Pandov, ka 10 Bitcoin, ndërsa Drejtori i Agjencisë Kombëtare për Programet Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Petar Bogojevski, zotëron 11 Bitcoin dhe 129 eteriume.

Por, ai kurrë nuk i ka “nxjerrë” paratë që i ka fituar për shkak të mungesës së rregullimit. Ai beson se aktualisht futja e kriptovalutave në sistemin formal është një rrezik shumë i madh për të, edhe pse nuk ka bërë asgjë të paligjshme.

“Ndoshta kriminelët dinë si t’i arsyetojnë këto mjete, por unë jo”, thotë ai.

Për dallim nga ai, Atanasi thotë se ka transferuar para në një llogari bankare, duke i deklaruar ato si “të ardhura online” dhe për ato ka paguar tatim personal. Ai është edhe një nga pronarët e një kompanie kriptovalutash të regjistruar jashtë vendit.

“Me iniciativën tonë po mundohemi të jemi të pastër me tatimet, por ka shumë mundësi që askush të mos e vërë re sepse kjo gjë është e parregulluar”, shpjegoi ai.

Ai pagën e tij e merr në kriptovaluta dhe shpesh tërheq para nga këmbimoret e kriptovalutave.

“Realisht rregullimi nuk do të na ndihmonte sepse kur një industri është e parregulluar, atëherë ke mundësi më të mëdha për të fituar para”, thotë ai me sinqeritet.

Entuziastët e kriptovalutave me të cilët folëm pohojnë se shumica e njerëzve në Maqedoni edhe pse mund të kenë dëgjuar për kriptovalutat, ende nuk janë mjaftueshëm të shkolluar financiarisht për këtë çështje.

Shumë njerëz i shohin kriptovalutat ose si një mashtrim ose si një mënyrë për të fituar para të shpejta, në vend se një fushë që kërkon njohuri teknike dhe financiare.

Edhe Darko, i cili tani është një nga njerëzit më aktivë në komunitetin e kriptovalutave në Maqedoni, jo vetëm që nuk ka besuar se këto valuta do të fitonin një vlerë të tillë, por edhe ai vetë ka bërë një gabim të madh kur filloi t’i përdorte kriptovalutat për herë të parë.

“Më mbetën disa Bitcoin, e kam edhe laptop-in e vjetër që e përdorja për të luajtur videolojëra. Por nuk kam qasje në to dhe tani askush nuk mund të më ndihmojë, e me siguri kam pesë ose gjashtë Bitcoin në të”, thotë ai.

Kush i përdor kriptovalutat në RMV?
Tregtia me kriptovaluta në Maqedoni është një “lojë pa rregulla” që ka shkaktuar fate të ndryshme, në mesin e të cilave edhe mashtrime të shumta.

Në Maqedoni mijëra bashkëqytetarë për herë të parë me kriptosferën ranë në kontakt kur investuan në skemat piramidale, si Konti dhe DGPT, ku pagesat kryheshin me kriptomonedha.

Përfaqësues nga Binance, një nga bursat më të mëdha globale të kriptomonedhave, muajin e kaluar njoftuan se vitin e kaluar kanë pasur një rritje prej 40 përqind të numrit të përdoruesve.

Përveç kësaj nga Binance thonë se 11 përqind e popullatës në Maqedoni, ose rreth 200.000 qytetarë, tashmë kanë hapur një llogari në platformën e tyre.

Por, nuk mund të thuhet se në vendin tonë ka një numër kaq të madh përdoruesish “autentikë” të kriptovalutave.

Sipas një ankete të BIRN, ata që u përgjigjën janë marrë me kriptovaluta mesatarisht rreth tre vjet e gjysmë, ndërsa bursa në të cilën ata tregtojnë më së shumti është “Binance”. Përveç Bitcoin ata thonë se përdorin edhe kriptovaluta të tjera, si Ethereum, Solana, Tether dhe Ripple.

E përderisa njëri nga të anketuarit tha se kishte blerë kriptomonedha Ethereum për 100 euro dhe i kishte harruar ato, një tjetër i përshkruan këto mjete si “e ardhmja e botës digjitale”.

Shumica e tyre thonë se kanë pasur njëfarë fitimi, por në mesin e të anketuarve ka edhe të tillë që kanë humbur para.

Në vitin 2022, Nikolla Levkov, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, dhe dy bashkautorët e tij shkruajnë për këtë fenomen në hulumtimin e tyre akademik mbi profilin e përdoruesve të kriptomonedhave në vendin tonë.

Edhe pse Levkov thekson se mostra e tyre prej 122 investitorësh të kriptovalutave është e kufizuar, ai thotë se profili i këtyre njerëzve në Maqedoni është kryesisht i ngjashëm me përdoruesit e kriptovalutave jashtë vendit, të identifikuar në studime të ngjashme.

Në Maqedoni mbi 80 përqind e përdoruesve janë meshkuj, shumica e tyre janë të rinj nga 19 deri në 34 vjet, shumica e tyre jetojnë në zona urbane dhe kanë arsim të lartë.

Në përgjithësi përdoruesit janë të vetëdijshëm se investimi në kriptovaluta është më i rrezikshëm sesa investimi në aksione. Edhe pse midis tyre ka entuziastë të teknologjisë, për numrin më të madh motivimi kryesor për të investuar është fitimi i shpejtë ose fitimi i pasurisë brenda një afati të shkurtër.

Në të njëjtën kohë Levkov shton se Bitcoini pothuajse nuk përdoret në qarkullim, madje as edhe në vendet që e kanë liberalizuar këtë monedhë për pagesë.

“E rëndësishme është që dy të tretat janë investitorë pasivë që blejnë kriptovaluta, nuk marrin pjesë në tregti, por presin që vlera e tyre të rritet dhe ndoshta i shesin kur vlera e tyre të jetë rritur ndjeshëm”, shtoi ai, duke theksuar se shumica e investitorëve në Maqedoni investojnë shuma të vogla parash.

Një nga përgjigjet që e morëm në anketën e realizuar nga BIRN i pasqyron pikërisht këto trende.

“Edhe pse për momentin jam në një humbje të parealizuar, unë besoj në të ardhmen e kriptovalutave dhe besoj se pas 5-10 vitesh do të kem një fitim shumë më të madh”, thuhet në përgjigje.

Vlera e kriptovalutave ndryshon vazhdimisht dhe ajo shpesh është rezultat i aktiviteteve spekulative. Për shembull, vlera e Bitcoin u rrit ndjeshëm pas fitores së Trump, i cili premtoi politika pro-kriptovalutave gjatë fushatës së tij për një mandat të dytë.

“Bitcoin nuk ka një vlerë të caktuar si paratë klasike, si ari, por është një inovacion financiar-teknologjik, i cili lëviz kryesisht nga besimi i njerëzve në vlerën e asaj monedhe dhe prandaj ata investojnë në të, duke pritur që vlera e saj të vazhdojë të rritet”, shpjegoi Levkov për BIRN.

Këto ditë një Bitcoin vlen mbi 100.000 dollarë. Nëse Darko do të kishte qasje në portofolin e tij të kriptovalutave tani, ai do të kishte mbi gjysmë milioni dollarë.

“E ç’mund të bëj?” ngre supet Darko.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull