Krerët e VLEN bëjnë homazhe në Prekaz: Lavdi e përjetshme Adem Jasharit dhe dëshmorëve të kombit

2 Min. Leximi

Krerët e koalicionit VLEN kanë qëndruar sot në Prekaz, ku kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të familjes Jashari, duke nderuar sakrificën e komandantit legjendar dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë e Kosovës.

Gjatë vizitës në Kompleksi Memorial Adem Jashari, përfaqësuesit e VLEN u përkulën para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, duke theksuar se Prekazi mbetet një nga vendet më të shenjta të historisë kombëtare shqiptare.

Ata vizituan edhe kullën e familjes Jashari, ku në konak u pritën nga Rifat Jashari. Sipas tyre, kjo kullë është simbol i qëndresës, sakrificës dhe krenarisë së një populli që nuk u dorëzua përballë padrejtësisë.

“Prekazi është vendi ku historia e rezistencës shqiptare mori një dimension të ri. Sakrifica e familjes Jashari dhe e gjithë dëshmorëve të luftës mbetet kapitull i përjetshëm në kujtesën e shqiptarëve,” u theksua gjatë vizitës.

Krerët e VLEN nënvizuan se Epopeja e UÇK-së nuk është vetëm një kujtim historik, por një amanet dhe përgjegjësi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm që të ruajnë dhe zhvillojnë lirinë e fituar me sakrificë.

Në fund të vizitës ata shprehën mirënjohje dhe respekt për komandantin Adem Jashari dhe për të gjithë dëshmorët e kombit, duke theksuar se idealet për të cilat ata u flijuan duhet të mbeten udhërrëfyes për të ardhmen.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull