KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

3 Min. Leximi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.

Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.

- Advertisement -

Në fillim, dy anëtarët e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi kanë shprehur kundërshtimin për certifikimin e këtij subjekti politik.

“Kam rezervat e mia dhe më duhet me i shpreh dhe janë shumë elemente, pra prezantimi i kandidatëve të Listës Serbe. Pra asnjëherë nuk përmend Republika e Kosovës por thotë ‘Kosovo i Metohija’. Nuk thotë ‘rrnoftë Kosova por rrnoftë Serbia’. Përfaqësuesit e kësaj liste mbajnë kontakte me pushtetin e Vuçiqit ku shihet edhe Radojiçiqi, ku kanë lidhje me sulmin terrorist në Banjskë dhe së fundmi edhe në Ibër Lepenc”, u shpreh ai, teksa lëshoi një audio-incizim ku dëgjohet Allek me thirrje kundër Republikës së Kosovës.

Kundër certifikimit të Listes Serbe doli edhe anëtari tjetër i VV-së, Alban Krasniqi, i cili kërkoi veprime nga Prokuroria e Shtetit.

Edhe anëtarët tjerë që vijnë nga radhët e opozitës kanë shprehur shqetësimet e tyre, ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Arianit Elshani, ka kujtuar se verifikimi i listave të kandidatëve ka kaluar nëpër disa institucione dhe asnjë prej tyre nuk ka dhënë ndonjë vërejtje.

- Advertisement -

“Ndaj të njëjtat shqetësime me anëtarin e VV-së, mirëpo kam një shqetësim tjetër për shkak se rekomandimi i Zyrës për Regjistrim të Partive ka thënë se ky subjekt plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Është bazuar edhe në deklarimet e MPB dhe MPJ dhe të gjithë kanë thënë se subjekti në fjalë i plotëson kriteret. Unë me këtë rast abstenoj deri në definimin e saktë sepse certifikimi i subjekteve duhet ta ketë një konsensus të përbashkët”, u shpreh Elshani.

Elshani ka kujtuar se edhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë asnjë vërejtje për listën kandidatëve të subjektit politik.

“Të gjithë e dimë se kush është Lista Serbe, mirëpo është mirë me na tregu Ministria e Punëve të Brendshme. Është mirë ata me ma tregu se kush janë pjesëtarë të këtij subjekti politik. Unë propozoj që të diskutoni me MPB-në dhe të vini me një rekomandim, qoftë pro apo kundër certifikimit”, u shpreh tutje Elshani. /EO

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull