Buxheti për personat me aftësi të kufizuara, si për këtë vit ashtu edhe për vitin e ardhshëm, do të reduktohet me 196 milionë euro, ndërkohë që kostoja e jetesës për familjet që kanë anëtarë me aftësi të kufizuara është për 60% më e lartë sesa për familjet me anëtarë me zhvillim tipik. Këto të dhëna u prezantuan sot nga Koalicioni “Ndryshojmë”, gjatë paraqitjes së raportit para Kuvendit, informon PressOnline.al
“Ky raport është përgatitur me synimin t’i vijë në ndihmë veçanërisht Ministrisë së Politikës Sociale, pasi si Koalicion kemi konstatuar se buxheti për të drejtat sociale është ulur ndjeshëm, në vlerë prej 196 milionë eurosh,” deklaroi Suaret Alishan, koordinator i Koalicionit “Ndryshojmë”.
Koalicioni e ka bazuar llogaritjen në shportën sindikale minimale të muajit tetor të përpunuar nga LSM, sipas së cilës shpenzimet mujore të një familjeje katëranëtarëshe arrijnë në 65.000 denarë. Në llogaritjen e tyre, Koalicioni e ka rritur përbërjen familjare në pesë anëtarë, për shkak të nevojave shtesë, duke rritur kështu vlerën bazë me 25%.
Kështu, shuma e shportës sindikale është shumëzuar me 1,25, duke rezultuar në 81.000 denarë. Nëse kësaj shume i shtohen edhe 23.000 denarë për shpenzime shtesë – për pajisje mjekësore ndihmëse, transport, kujdestari dhe shërbime komunale – vlera mujore arrin në 104.000 denarë.
Duke e rrumbullakosur shumën në 100.000 denarë dhe duke e shumëzuar me 12, del se një familje pesëanëtarëshe me persona me aftësi të kufizuara ka kosto vjetore prej 1.200.000 denarësh, që përkthehet në rreth 19.500 euro.
“Raporti identifikon gjithçka që deri më tani ka qenë e lënë në hije, e ilustron qartë dhe tregon se situata nuk është e mirë. Ne si organizatë i kemi zgjidhjet dhe mund ta adresojmë problemin, nëse shteti tregon gatishmëri dhe bashkërendim,” theksoi Alishan, përcjell PressOnline.al
Nga Ministria e Politikës Sociale theksojnë se e vlerësojnë përpjekjen e Koalicionit “Ndryshojmë” për të evidentuar sfidat me të cilat përballen familjet e personave me aftësi të kufizuara. Megjithatë, sipas tyre, llogaritjet e bëra nuk përfaqësojnë indikator zyrtar shtetëror.
Zgjidhjet përfundimtare, sipas Ministrisë, varen nga kuadri buxhetor dhe analizat ndërinstitucionale. Në praktikë, shumat e të drejtave financiare nuk lidhen drejtpërdrejt me shportën sindikale, por përcaktohen mbi bazën e legjislacionit, politikës fiskale e sociale, të dhënave statistikore zyrtare dhe vlerësimeve të nevojës reale për mbështetje.

