Vrasjet e ndodhura së fundi në Vushtrri, tri viktima në më pak se 24 orë, kanë kthyer vëmendjen tek armët e shumta që gjenden në duart e qytetarëve.


Sipas statistikave që Policia e Kosovës i ka dërguar Gazetës Online Reporteri.net, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë konfiskuar 235 armë. Sasia e municionit që është sekuestruar për këtë periudhë kohore është 2 mijë e 998. Edhe vitin e kaluar, Policia ka konfiskuar sasi të madhe të armëve dhe municionit.
“Referuar kërkesës tuaj ju informojmë se gjatë vitit 2024 janë konfiskuara 1537 armë dhe 24000 municion”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Aplikuesi duhet të posedojë aftësi psiko-fizike dhe të kalojë testin teorik dhe atë praktik për përdorimin e armës.
Po ashtu, duhet të ketë arsye të besueshme përse ka nevojë për armë, si dhe të kaluar të pastër kriminale.
Një kampanjë për të vënë kontroll mbi armët pa leje Ministria e Punëve të Brendshme e kishte filluar në vitin 2018, e që e kishte zgjatur deri në shtator të vitit 2019, duke ua dhënë mundësinë për legalizim apo dorëzim përdoruesve të tyre.
Ndryshe, 42-vjeçarja me inicialet N.H, është vrarë dje në një nënkalim në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. I dyshuar për vrasjen është një 58-vjeçar me inicialet A.M, i cili më pas ka qëlluar edhe veten. Sipas raportimeve të mediave, dorasi është pranari i një furre buke, ku e ndjera kishte punuar më parë.
Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, ka deklaruar për Gazetën Online Reporteri.net se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.
“Sot, rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten. Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””, ka thënë Zahiti.
Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës. Nga kjo prokurori kanë thënë se po intervistojnë dëshmitarë lidhur me rastin dhe se po hetojnë të gjitha rrethanat që kanë çuar tek kjo ngjarje tragjike.
“Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë deklaruar nga Prokuroria./Reporteri.net