Qytetarët e Kosovës sot shënojnë 18-vjetorin e themelimit të shtetit. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe me Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhet në deklaratën e nënshkruar nga deputetët pjesëmarrës.
Deklarata e Pavarësisë u miratua në mënyrë unanime nga 109 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.
E në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, institucionet kanë organizuar një mori aktivitetesh.

