Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka pranuar dërgesën e radhës të sistemeve raketore anti-tank OMTAS, të kontraktuara me prodhuesin shtetëror turk Roketsan në dhjetor të vitit 2023.

Sipas Maqedoncit, OMTAS (Orta Menzilli Tanksavar Silah) është një sistem modern raketor me rreze të mesme veprimi, i projektuar për neutralizimin e mjeteve të blinduara moderne, përfshirë tanke me mbrojtje reaktive, si dhe fortifikata mbrojtëse ushtarake.
Ai theksoi se shtimi i këtyre sistemeve ka për qëllim rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë dhe përmirësimin e fleksibilitetit operacional në skenarë të ndryshëm të kërcënimit, në terrene dhe distanca të ndryshme.
“Rritja e llojllojshmërisë dhe sasisë së sistemeve raketore anti-tank synon mbulimin e distancave të ndryshme të veprimit dhe rritjen e gatishmërisë për përballje me kërcënime të mundshme,” ka deklaruar Maqedonci.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti e ka përshëndetur këtë zhvillim, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë së vendit.


