Kosova
Republika e Kosovës do të shkojë më 9 shkurt 2025 në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, raporton Anadolu.
Fushata e cila filloi më 11 janar, vijoi pa incidente të theksuara në territorin e Republikës së Kosovës, megjithëse u konsiderua se liderët politikë përdoren gjuhë nxitëse, nga organizatat që e monitoruan atë.
Këto janë zgjedhjet e nënta parlamentare me radhë që nga periudha e luftës së fundit të vitit 1999 në Kosovë.
Në vitin 2001, 2004 dhe 2007 u mbajtën zgjedhje të rregullta parlamentare, ndërsa pas tyre, më 2010, 2014, 2017, 2019 dhe 2021 u mbajtën zgjedhje të parakohshme parlamentare.
– 28 subjekte politike në garë zgjedhore
Për zgjedhjet e 9 shkurtit të caktuara nga presidentja Vjosa Osmani, pas koordinimit me partitë politike parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi për pjesëmarrje 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur, derisa në mesin e këtyre subjekteve ka parti shqiptare, të komunitetit serb, komunitetit turk dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë të zgjedhur me votë. 20 prej tyre janë vende të garantuara për përfaqësimin e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet e tjera: turk, boshnjak, rom, ashkali, goran dhe egjiptian.
Partia më e madhe në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje, në këto zgjedhje garon me sloganin “Cep më cep”. Kandidat i kësaj partie për kryeministër është kryeministri aktual, Albin Kurti. Ndër premtimet kryesore të kësaj partie është 1 miliard euro për rritjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë, heqja e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian, transport publik i integruar me biletë 10 euro në muaj në gjithë Kosovën, 500 milionë euro për Brezovicën për destinacion evropian të turizmit, 100 euro shtesë mbi pensionin bazik për gjyshërit që kujdesen për mbesa e nipa kur prindërit e tyre punojnë, e të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamzën, garojnë me sloganin “Kosova mundet ma mirë”. Ndër premtimet kryesore të tij janë rritja e pagave për 50 për qind në sektorin publik, rritja e pensioneve për 70 për qind si dhe subvencionimi i familjeve që i dërgojnë fëmijët në çerdhe me nga 100 euro.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), garon me kandidatin Lumir Abdixhiku, me sloganin “Bëhu Ndryshimi”. Abdixhiku në fushatë elektorale ka premtuar investime prej 5 miliardë eurosh, një buxhet prej 5 miliardë eurosh dhe një rritje ekonomike prej 5 për qind gjatë mandatit të tij.
Ndërkohë, Koalicioni “Për Kosovën Fituese” nga partitë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, me kandidat për kryeministër Ramush Haradinajn, po garojnë me premtimin për anëtarësim në NATO, përcjellë me premtimet për rritje pagash, investime dhe zhvillim ekonomik.
Tri parti nga minoriteti turk janë gjithashtu në garë në kuadër të këtyre zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) e udhëhequr nga Fikrim Damka, Yenilikçi Türk Hareket Partisi (YTHP) e udhëhequr nga Ertan Simitçi dhe Kosova Adalet Türk Partisi (KATP).
– Zgjedhjet e para ku qytetarët mund të zgjedhin 10 kandidatë për deputetë
Sa i përket mënyrës së votimit, qytetarët do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në 10 kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.
Numri i përgjithshëm i votuesve në këto zgjedhje sipas KQZ-së është 2.075.868, prej të cilëve 104.924 janë regjistruar për votim jashtë vendit.
Numri i votuesve të rinj që do të mund të votojnë për herë të parë është 125.852 votues.
Periudha e votimit jashtë Kosovës ka filluar më 9 janar deri më 8 shkurt, ndërsa edhe heshtja zgjedhore këtë vit, pas ndryshimeve ligjore, do të jetë ndryshe nga zgjedhjet e kaluara. Ajo do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit – një minutë para hapjes së kutive të votimit deri në mbylljen e tyre.
Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit do të monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, të cilët vijnë nga 18 vende të ndryshme të BE-së, me qëllim të “ruajtjes së standardeve demokratike”, me ftesë nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.