Komuna e Çairit ka rënë në shënjestër të një fushate të koordinuar sulmesh nga drejtori i NP “Higjiena Komunale” – Shkup, Sabahudin Rustemi, dhe nga dega lokale e Lëvicës në këtë komunë. Shkak për këtë janë pretendimet për një borxh mbi 7 milionë denarë që, sipas Rustemit, komuna i ka ndërmarrjes publike për shërbimet e pastrimit.
Nga ana e saj, Levica – Çair reagoi ashpër përmes një komunikate publike, duke e akuzuar kryetarin Visar Ganiu për, siç thuhet, “menaxhim të papërgjegjshëm dhe shpërdorim të resurseve komunale”. Sipas kësaj partie, institucionet lokale nuk po përmbushin detyrimet minimale ndaj ndërmarrjes që duhet të kujdeset për pastërtinë dhe shëndetin publik, ndërsa Çairi – sipas tyre është komuna me borxhin më të madh ndaj kësaj ndërmarrjeje në territorin e Shkupit. Levica kërkon auditim urgjent të financave të komunës dhe publikim të detajuar të të gjitha borxheve institucionale ndaj “Higjienës Komunale”.
Megjithatë, këto akuza janë cilësuar nga burime komunale si sulme të koordinuara politike nga dy subjekte që në dukje paraqiten si kundërshtarë, por që në praktikë po veprojnë në një linjë për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet serioze të vetë ndërmarrjes publike.
Burime nga Komuna e Çairit theksojnë se NP “Higjiena Komunale” prej kohësh ka treguar paaftësi në përmbushjen e shërbimeve bazike, jo vetëm në Çair por edhe në shumë pjesë të tjera të Shkupit, dhe përkundër kësaj, nuk ka paraqitur transparencë në shpenzimet, kontratat apo planifikimin e burimeve.
“Sulmet politike të tilla janë tentativë për të zhvendosur përgjegjësinë nga ndërmarrja publike, e cila është e politizuar skajshmërisht nga BDI-ja dhe bashkëpunëtorët e saj të rinj. Në vend që të përballen me realitetin e një ndërmarrjeje që nuk po funksionon, po fajësojnë Komunën e Çairit që për vite ka funksionuar nën presionin e mungesës së përkrahjes institucionale nga niveli qendror”, thanë burime të afërta me administratën lokale.