Ekipi ligjor në Presidencën e Kosovës është duke bërë analiza të detajuara rreth procesit të konstituimit të Kuvendit të ri, pas polemikave që lindën mbi ligjshmërinë e përfundimit të tij. Ky proces u shpall “i përmbyllur” nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, gjatë seancës konstituive të mbajtur më 30 gusht.
Në një njoftim për media, Presidenca bëri të ditur se presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takim me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, më 1 shtator, ku është diskutuar në detaje për hapat e mëtejshëm që lidhen me konstituimin e plotë të Kuvendit.
“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.
Sipas disa juristëve përfundimi i konstituimit të Kuvendit është kusht për funksionalitetin e plotë institucional, pasi pa u kompletuar kryesia e Kuvendit, mbeten të pezulluara edhe disa procese të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore.
Curri: Zgjidhja përfundimtare mund të vijë ose nga marrëveshja politike brenda Kuvendit, ose nga vendimi detyrues i Kushtetueses
Avokati Agron Curri, ka deklaruar se shpallja e përmbylljes së konstituimit të Kuvendit ka krijuar paqartësi procedurale, por jo ngërç politik.
Ai tha se çështja lidhet me zgjedhjen e nënkryetarëve, sidomos të përfaqësuesit serb.
Sipas tij, nëse mungon marrëveshja politike, Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë detyrimet ligjore të Listës Serbe dhe Kuvendit, duke konstatuar shkeljet kushtetuese. Ndërkohë, zyra ligjore e Presidencës mund të japë vetëm opinion orientues.
“Shpallja si të përmbyllur e procesit të konstituimit të Kuvendit ka krijuar një paqartësi procedurale, por jo një ngërç politik të plotë. Çështja lidhet kryesisht me respektimin e dispozitave kushtetuese për zgjedhjen e nënkryetarëve, përfshirë përfaqësuesin e komunitetit serb.
Nëse Kuvendi nuk arrin një zgjidhje politike, Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë detyrimet ligjore të Listës Serbe dhe vetë Kuvendit të Kosovës, ndërsa zyra ligjore e Presidencës mund të japë vetëm një opinion orientues.
Zgjidhja përfundimtare mund të vijë ose nga marrëveshja politike brenda Kuvendit, ose nga vendimi detyrues i Kushtetueses, e cila, mendoj që do të konstatojë shkeljet kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e nënkryetarëve”, deklaron avokati.
Burjani: Janë bërë shkelje kushtetuese, pra nuk duhet bërë më aventura
Lidhur me këtë çështje foli edhe juristi Blerim Bujrani.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese do të kërkojë plotësimin e pozitës së nënkryetarit nga Lista Serbe, pasi pa këtë nuk mund të përmbyllet konstituimi i Kuvendit.
Sipas tij, janë bërë shkelje kushtetuese dhe duhet të jepet kohë shtesë, ndërsa përfundimisht vendimi mbetet te Gjykata.
“Gjykata do të kërkojë zgjedhjen e nënkryetarit nga partia Lista Serpska, kjo është e qartë, duhet të plotësohen pozitat e nënkryetarëve. Kjo pozitë duhet të plotësohet, duhet të plotësohet konstituimi. Mendoj se do të jepet kohë shtesë, formulimi mund të jetë se duhet të zgjidhet nënkryetari. Janë bërë shkelje kushtetuese, pra nuk duhet bërë më aventura.
Siç e dini, është shteruar mundësia në bazë të aktgjykimit të Gjykatës që një person duhet të kandidohet tre herë dhe nuk lejohet më tutje. Përmbyllja ndodh kur të kompletohet kryesia e Kuvendit. Pra duhet sërish të pyetet Gjykata me kërkesë çka më tutje, pasi që është absorbuar aktgjykimi i Gjykatës për deputetët serb” – përmbyll Bujrani për “Bota sot”.