Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se është e pamundshme që me rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ta formojë qeverinë e re pa një koalicion.
Konjufca, i cili foli për media pas takimit me përfaqësuesit e partive parlamentare ku u diskutuan çështjet përgatitore për seancën konstituive të 15 prillit, tha se LVV-ja nuk arriti qëllimin të qeverisë e vetme dhe tash i duhet ta modifikojë rrugën për ta arritur pushtetin.
Ai tha se politika nuk është as urrejtje, as dashuri, por ajo duhet të përfaqësojë interesat nacionale dhe kur bëhet fjalë për këtë, “duhet bashkëpunim për ta çuar Kosovën së bashku, sepse veç e veç nuk kemi mundësi”.
“E kemi pasur qëllimin t’i arrijmë 500 mijë vota, nuk i kemi arritur ato. Tani është skenari B dhe ju pyesni se përse ne në kuadër të skenarit B, i kemi drejtuar letër një partie opozitare. Është rasti më normal i mundshëm në demokraci. Nuk ka ndonjë kontradiktë këtu, sepse, ne nga fillimi kemi thënë, qëllimi është ta bëjmë vetëm Qeverinë, a është e mundshme kjo, mua nuk po më duket e mundshme”, tha Konjufca duke folur rreth ftesës që Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për takim konsultativ.
Konjufca thekson se “është privilegjuese” për LDK-në “që është zgjedhur e para” nga partitë shqiptare nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, për të diskutuar.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, në mbledhjen me kryeparlamentarin Konjufca tha se formimi sa më shpejtë i Qeverisë është nevojë e qytetarëve, derisa theksoi se i takon partisë së parë që t’i krijojë kushtet për formimin e institucioneve të reja.
Duke folur rreth një mundësie që LVV-ja ta ftojë PDK-në për konsulta politike para 15 prillit kur mbahet seanca konstituive, Ismaili tha se kjo mbetet hipotetike dhe nuk mund të përgjigjen në këtë kohë.
“Unë e kam bindjen se nëse ka një paaftësi të partisë së parë për ta realizuar qeverinë, kam një bindje që Bedri Hamza është një person mjaft i aftë për ta ndërtuar një koalicion i cili e ka në fokus atë që e ka premtuar”, theksoi Ismaili.
Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se është vitale që politikat zhvillimore të ecin përpara dhe çfarëdo vonese për krijimin e institucioneve do t’i bënte dëm qytetarëve të Kosovës.
Ajo tha se në mes të partisë së saj dhe LVV-së qëndron “një mur i palëvizshëm”, derisa ka shtuar se LDK-ja vazhdon të ketë qëndrimin që ka pasur para zgjedhjeve.
“Kur ne kemi potencuar që nuk hymë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk kemi vendosur kushtëzime në raport me këtë qëndrim. Sepse, vetë ky qëndrim në vete është parim yni dhe është qëndrim që ne e kemi shfaqur publikisht tek qytetari i Republikës së Kosovës. Dhe, duhet ta kuptojmë që ky qëndrim nuk ka qenë qëndrim i kushtëzuar, ka qenë qëndrim kristal i qartë i LDK-së”, theksoi Kica-Xhelili.
Më tej ajo shtoi se mbetet tek kryetari i LDK-së, Lumir Abixhiku, nëse do ta pranojë apo jo ftesën për takim me Lëvizjen Vetëvendosje.
Të dielën Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, për takim të mërkurën në orën 15:00, apo të enjten në orën 09:00 ose në 14:00.
Sipas rezultateve të dala nga zgjedhjet parlamentare të rregullta të 9 shkurtit 2025, LVV-ja do t’i ketë 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20, Lista Serbe nëntë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën Socialdemokrate tetë vende, ndërsa vendet e tjera janë për komunitetet joserbe.
Konjufca: Pa koalicion, Vetëvendosje nuk mund ta formojë qeverinë e re
