Kongresi i BDI-së/ Karrigia e Ahmetit nuk lëkundet, në listën e largimit janë emra të njohur

2 Min. Leximi

Nesër në Shkup BDI do ta mbajë Kongresin partiak, megjithatë në komunikatën zyrtare të partisë nuk jepen detaje për rendin e ditës. Ajo që dihet zyrtarisht është se Ali Ahmeti pritet të rizgjidhet në krye të partisë, pasi nuk është paraqitur asnjë kundërkandidat, shkruan Alsat.

Kongresi, që sipas informimit zyrtar është i rregullt, mbahet menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale ku BDI pati rezultat të dobët, meqenëse humbi udhëheqjen e shumicës së komunave shqiptare.

Për këtë, në opinion, por edhe brenda BDI-së kishte thirrje për përgjegjësi lidhur me rezultatin zgjedhor, duke e drejtuar gishtin kah funksionarët që mbi dy dekada kanë dominuar skenën politike nën logon e BDI-së, duke ushtruar funksione të larta në të gjitha nivelet e pushtetit.

Duke e pasur parasysh rezultatin e dobët në zgjedhjet lokale, por edhe zërat brenda partisë, jozyrtarisht Ahmeti ka hartuar një listë me emra të njohur që pritet të zëvendësohen me emra të rinj. Megjithatë një lëvizje e këtillë, nuk është e qartë nëse çon partinë drejt reformës, apo megjithatë është një lëvizje taktike duke e lënë “gardën e vjetër” të punojë në prapaskenë.

Jozyrtarisht, në listë janë anëtarët që ushtrojnë funksione të larta partiake, respektivisht sekretari organizativ Blerim Bexheti, anëtari i Këshillit Mbikëqyrës, Musa Xhaferi, anëtari i Këshillit Kombëtar Sadulla Duraku. Më tej, listës pritet t’i shtohen edhe anëtarët e Kryesisë Fatmir Dehari, Teuta Arifi, Bekim Neziri, Xhevat Ademi, Resi Abdurramani, Ejup Alimi, Bilen Saliji, Ejup Rustemi e të tjerë.

BDI, në periudhën e kaluar u godit edhe nga vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, me të cilat fillimisht funksionarin e lartë partiak Ramiz Merko e futën në Listë të Zezë, ndërsa më pas Artan Grubin, apo krahun e djathtë të Ahmetit. Për dallim prej Merkos që endet nëpër gjykata, Grubi mbi një vit ndodhet në arrati.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull