Komuna e Tetovës vendos transport me autobus për qytetarët deri në Kodrën e Diellit gjatë ditëve të fundjavës, me qëllim që qytetarët të mund të udhëtojnë në këtë qendër turistike. Ata njoftojnë se do të fillojë këtë fundjavë, ndërsa bileta vajtje-ardhje për një person do të kushtojë 200 denarë.
“Komuna e Tetovës i njofton të gjithë qytetarët dhe turistët të cilët dëshirojnë të vizitojnë Kodrën e Diellit, se nga kjo fundjavë do të fillojë me funksionimin linja e rregullt për transport publik në drejtimin “Tetovë – Kodra e Diellit”. Kjo linjë do të jetë funksionale çdo të shtunë dhe të dielë. Kjo linjë dukshëm do të ndikojë jo vetëm në rritjen e numrit të turistëve, por edhe në lehtësimin e komunikacionit në këtë kas rrugor. Le t’i shijojmë së bashku bukuritë e Kodrës së Diellit. Jemi në shërbim të qytetarëve”, thuhet në kumtesën nga Zyra për komunikime dhe marrëdhënie me opinionin e Komunës së Tetovës.
Transporti i udhëtarëve do të bëhet me autobusët e Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport” – Tetovë duke u lehtësuar udhëtimin qytetarëve drejt kësaj qendre turistike. Nga Tetova drejt Kodrës së Diellit autobusët do të nisen në ora 08:30, 11:00, 14:00 dhe 17:00, ndërsa kthehet në qytet një orë më vonë nga këto termine.