Si pasojë e temperaturave të ulëta dhe ngricave të krijuara në rrugë, Komuna e Sarajit ka ndërmarrë masa parandaluese duke hedhur kripë në rrugët e fshatrave të komunës, me qëllim rritjen e sigurisë në qarkullim, raporton Zyrtare.net

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, si me automjete ashtu edhe në këmbë, duke theksuar se rrugët mbeten të rrëshqitshme për shkak të ngricave.
“Kemi intervenuar në fshatrat Llokë, Matkë, Matkë e Epërme dhe Çajlan, ndërsa gjatë orëve në vijim do të intervenohet edhe në Bojan, Kopanicë, rrugën Lubin–Rashçe, Raoviç, Paniçar, Kondovë dhe në vendbanime të tjera ku do të ketë nevojë”, tha Elmazi për Zyrtare.net.
Nga komuna bëjnë të ditur se ekipet komunale janë në terren dhe po vazhdojnë me intervenime sipas nevojës, ndërsa qytetarëve u kërkohet bashkëpunim dhe shmangie e lëvizjeve të panevojshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.


