Si do të bëhet balancë mes përfaqësimit të drejtë dhe meritokracisë, cilat ligje dhe institucione do të preken, cili do të jetë roli i institucioneve dhe i trupit koordinues në zbatimin e përfaqësimit të drejtë, janë disa nga çështjet të cilat qeveria duhet t’i sqarojë para Komisionit të Venecias, në seancën ku do të shqyrtohet draft-opinioni mbi projekt ligjin për përfaqësim të drejtë, ditën e premte. I dërguari i qeverisë për të prezantuar ekzekutivin në këtë seancë, zv.kryeministri Arben Fetai thotë se një draft version i opinionit të ekspertëve të Komisionit të Venecias ekziston dhe ai do të shqyrtohet në nën-komisionet e Komisionit të Venecias.
Në faqen e internetit të Komisionit të Venecias thuhet se vlerësimi do të kalojë fillimisht në nënkomisionin për Institucionet Demokratike dhe nën-komisionin për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, gjatë ditës së nesërme, kurse të premten, diskutimi kryesor do të zhvillohet në seancë plenare.
“Duhet të balancohen parimet e përfaqësimit të drejtë me parimin e meritokracisë në administratën publike. Do të duhet ndoshta të sqarojmë disa elemente se si do të sillen ligjet tjera që duhet shoqërojnë ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, siç janë ndryshimet në ligjet që e rregullojnë administratën publike, institucione, ministri të veçanta, forma dhe metodologjia që duhet të sjellim për të zbatuar ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe do të bisedojmë në bazë të draft opinionit edhe për përbërjen e trupit koordinues që parashihet të themelohet me ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, deklaroi Arben Fetai, Zv.kryeministër.
Komisioni i Venecias ka pranuar draft-versionin e ligjit për përfaqësim të drejtë nga qeveria në muajin korrik. Nga atje kërkohet mendim se sa ligji është në përputhje me parimet demokratike dhe të drejtat themelore. Konkluzioni, sipas zv.kryeministrit Fetai, nuk do të vonojë.
“Në seancë plenare të ditës së premte do të miratohet opinioni i tyre për këtë projekt ligj dhe pastaj me opinionin final, që besoj se do ta marrim gjatë javëve në vijim, ne do të rikthehemi në qeveri, të shohim a ka nevojë të bëjmë ndonjë ndërhyrje në draftin që e kemi përgatitur dhe pastaj të ndjekim procedurën ligjvënëse, dorëzimin e propozim-ligjit në Kuvend për debat publik dhe hapat e mëtutjeshëm që çojnë drejt miratimit”, tha Arben Fetai, Zv.kryeministër.
Qeveria përpiloi draft ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në qershor, rreth një vit pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi mekanizmin e njohur si balancuesi, në bazë të të cilit parim, institucionet ishin të detyruara të bëjnë punësimet në administratë.
Opozita shqiptare kritikoi pushtetin për rrënimin e njërës prej shtyllave të Marrëveshjes së Ohrit duke e cilësuar atë si sulm ndaj përfaqësimit të shqiptarëve në institucione. Subjekti shqiptar në pushtet, nga ana tjetër, tha se opozita duhet ta kishte bërë ligjin që në kohën kur ishte në pushtet dhe të mos lejonte që balancuesi të bazohej vetëm te një mekanizëm të cilin institucionet shpesh e manipulonin ose e injoronin.
Draft-ligji për përfaqësim të drejtë që siguroi muaj më parë Alsat, bazohet në amendamentin VI të Kushtetutës për përfaqësim të drejtë dhe parashikon që deklarimi i përkatësisë etnike gjatë aplikimit për punë të mbetet në vullnetin e vetë qytetarit. Alsat mësoi se përkatësia do të definohet në bazë të gjuhës së letërnjoftimit si dhe kryqëzimit të informacioneve nga të dhënat personale të kandidatit.
Zbatimin e ligjit të ardhshëm do ta ndjekë një trup i formuar nga Qeveria dhe komisioni kundër diskriminimit. /Alsat.mk

