Komisioni i Venecias kontestoi disa nene të Ligjit të Gjuhëve

2 Min. Leximi

Në vitin 2019 Komisioni i Venecias pati dhënë vlerësim për Ligjin e gjuhëve, të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në vitin 2018, me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, por disa përcaktime të këtij ligji, siç bëhet e ditur nga përmbajtja e raportit, “tejkalojnë standardet e përcaktuara në Konventën-kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe Deklaratën evropiane për gjuhët rajonale dhe të pakicave”.

“Ligji i vitit 2018 në mënyrë të theksuar avancon përdorimin e gjuhës shqipe, si gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, në organet publike. Por, në fusha të caktuara, ligji shkon shumë larg duke i imponuar institucioneve publike detyrime joreale, në veçanti në procedurat gjyqësore. Obligimet janë joreale dhe të shtrenjta për t’u zbatuar”, thuhej veç të tjerash në konkluzionet e Komisionit të Venecias.

- Advertisement -

Komisioni në atë kohë kërkonte shqyrtim të ligjit, para së gjitha të hiqen përcaktimet lidhur me dygjuhësinë në procedurat gjyqësore dhe të ndërmerren masa që të sigurohet zbatim efikas i kërkesave gjuhësore në bazë të përcaktimeve të ligjit të mëparshëm, të vitit 2008. Komisioni gjithashtu rekomandonte revidimin e nenit 3 të ligjit, që parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në komunikim brenda institucioneve, por edhe në sfera tjera deri në përcaktimin e qartë të tij. Raporti po ashtu rekomandon anulimin e gjobave për moszbatimin e ligjit deri në qartësimin e plotë të tij. Ligji për mendim në Komisionin e Venecias ishte dërguar nga qeveria e atëhershme, pas kritikave të shumta në opinionin, sidomos atë maqedonas se me këtë ligj, vendi bëhet shtet dygjuhësor dhe se rrënohet karakteri unitar i shtetit. Gjuha shqipe në bazë të ligjit, i cili hyri në fuqi një vit pas miratimit përdoret në organet e pushtetit qendror, si në Qeveri, Kuvend, pushtetin gjyqësor si dhe në komunat ku mbi 20 për qind e popullatës janë të entitetit shqiptar.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull