Kombëtarja shqiptare ka zbarkuar sot në Serbi, ku do të përballet nesër me përfaqësuesen serbe në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. Kuqezinjtë udhëtuan nga aeroporti “Nënë Tereza” drejt qytetit të Nishit, me fluturimin që zgjati rreth 49 minuta.

Pas mbërritjes, ekipi u prit në aeroportin serb nën masa të larta sigurie dhe më pas u nis menjëherë drejt hotelit ku do të qëndrojë gjatë qëndrimit në Nish. Gjithçka është organizuar me kujdes maksimal për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Në orët e pasdites, Kombëtarja do të udhëtojë drejt Leskovacit, ku trajneri Sylvinho dhe kapiteni i skuadrës do të dalin në konferencën zyrtare për shtyp. Menjëherë pas saj, kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Dubocica”, aty ku do të luhet edhe ndeshja.
Së bashku me ekipin kanë udhëtuar edhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe disa gazetarë që do të ndjekin nga afër çdo zhvillim.

Përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet nesër në orën 20:45, në stadiumin e Leskovacit, dhe pritet të jetë një sfidë e ngarkuar emocionalisht, me rëndësi të madhe për renditjen në grupin K të kualifikuesve të Botërorit 2026.