Koalicioni për Familjen ka mbajtur tubim zgjedhor sot në Gjakovë, një ngjarje ku morën pjesë liderët e koalicionit, Ferid Agani, Selim Pacolli, Fatmir Smajli, deputeti Visar Korenica, si dhe kandidatët për deputetë të koalicionit dhe qytetarët e Gjakovës.
Lideri i Koalicionit, Ferid Agani, theksoi se çdo qytetar ka të drejtën të trajtohet me dinjitet dhe të ketë qasje në shërbime shëndetësore cilësore. Ai shtoi se familja është prioriteti kryesor i koalicionit dhe se çdo politikë reforme dhe angazhim i tyre është ndërtuar mbi këtë bazë të shenjtë.
Selim Pacolli, gjatë fjalës së tij, shpalosi programin e koalicionit, duke theksuar se koalicioni mbështet dhe respekton vlerat dhe traditat e vendit, duke përfshirë ruajtjen e identitetit familjar. Ai gjithashtu foli për zhvillimin e industrive që kanë pasur rëndësi të madhe për ekonominë lokale dhe kombëtare, duke përmendur se shumë fabrika në Gjakovë, që ishin të njohura ndërkombëtarisht, janë mbyllur.
“Me programin e koalicionit, do të krijohet mundësia për rinovimin e këtyre industrive dhe zhvillimin ekonomik të Gjakovës”, u shpreh Pacolli.
Fatmir Smajli, duke u fokusuar te simbolika e qytetit të Gjakovës, tha se ky qytet është një simbol i guximit, sakrificës dhe vizionit. Ai theksoi se kur familja është e fortë, shpresa është gjithashtu e fortë dhe se, kur vlerat janë të pastra, asnjë pengesë nuk është e pakalueshme.
Visar Korenica foli për rëndësinë e koalicionit që mbron vlerat e familjes.
Në fund të ngjarjes, u prezantuan kandidatët për deputetë të Koalicionit për Familje nga Gjakova.
“Ky aktivitet ishte një mundësi e shkëlqyer për të bashkuar qytetarët e Gjakovës rreth vlerave dhe vizionit të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për familjen dhe shoqërinë”, u tha në njoftimin e këtij koalicioni.