Analisti dhe publicisti i njohur Kim Mehmeti ka kritikuar ashpër Bujar Osmanin, duke e akuzuar për qëndrime të paqarta dhe të dyshimta lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, në veri të Kosovës. Sipas Mehmetit, deklaratat e Osmanit në lidhje me këtë rast nuk kanë pasur as fuqinë, as drejtësinë që pritej nga një përfaqësues politik shqiptar në një post të tillë.
“Në rastin e Banjskës, Bujar Osmani pati një qëndrim për të cilin ia kanë zili edhe vetë serbët,” u shpreh Mehmeti, duke aluduar se ish ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut nuk e mbrojti siç duhet qëndrimin e Kosovës dhe as nuk reagoi me ashpërsinë që kërkohej për një akt të tillë agresioni ndaj sovranitetit të një shteti fqinj dhe aleat.
Mehmeti kritikoi më tej Osmanin për një sërë qëndrimesh që, sipas tij, tregojnë arrogancë politike dhe një largim të plotë nga misioni i përfaqësimit të interesave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Bujar Osmani, kur ishte më poshtë në hierarkinë politike, ishte më i qasshëm dhe komunikues. Por sa u bë ministër, mendoi se ishte ministër i të gjithë Maqedonisë dhe harroi se është aty vetëm falë votës shqiptare. Kjo është sëmundja e shumë politikanëve tanë – kujtojnë se pozita i bën më të vlefshëm sesa dinjiteti,” – u shpreh Mehmeti.
Ai shtoi se Osmani gjatë kohës në qeveri ka shfaqur një sjellje të mbyllur ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptar, duke u distancuar nga realiteti në terren.
“Kur të gjithë prisnin një reagim të prerë në mbrojtje të Kosovës dhe një distancim serioz nga ‘Ballkani i Hapur’, Osmani zgjodhi të mbajë qëndrim diplomatik, të paqartë, që nuk i lëndon as miqtë e Serbisë,” tha Mehmeti.
Deklarata e tij vjen në një moment kur opinioni publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut është gjithnjë e më skeptik ndaj figurave politike që, sapo arrijnë në pushtet, shkëputen nga përfaqësimi real dhe hyjnë në një rrugë teknokratike që shpesh nuk i shërben interesave kombëtare.