Shkup, 16 shkurt – Skuadra e Çairit arriti një fitore me përmbysje në pjesën e dytë, duke triumfuar 32:30 ndaj Metalurg Autokomanda në ndeshjen e vlefshme për xhiron e katërt të fazës “play-off” në Ligën e Femrave.
Fitorja u sigurua falë një loje të shkëlqyer në dhjetë minutat e fundit të takimit. Pavarësisht se ishin në disavantazh 26:24, vajzat e udhëhequra nga Basri Latifi realizuan një seri prej 5:0, duke siguruar kështu pikë të rëndësishme në garën për titull.
Mysafiret patën epërsi gjatë pjesës së parë, duke kryesuar disa herë me tre gola diferencë, por edhe vendaset treguan momente të mira, falë paraqitjeve të shkëlqyera të Gulicoskës dhe ndërkombëtares Çavar. Metalurg Autokomanda e mbylli pjesën e parë me epërsi minimale 17:16, në një ndeshje ku rezultati u barazua plot tetë herë.
Metalurgu e nisi më mirë pjesën e dytë, duke krijuar një avantazh prej katër golash (22:18, 23:19). Megjithatë, Çairi reagoi shpejt dhe në minutën e 40-të, me golin e Gjorgjievskës, ngushtoi diferencën në vetëm një gol (23:22).
Nga ky moment, loja u bë më e hapur. Pavarësisht që Metalurg Autokomanda kishte epërsinë 26:24, Çairi fillimisht barazoi në 26:26 dhe më pas shënoi tre gola radhazi për të kaluar në avantazh 29:26. Ekipi i Damçevskës ngushtoi në 31:30 një minutë para përfundimit, por Veliçkovska, me golin e saj të tretë, vulosi fitoren e Çairit dhe nisi festën në pankinën vendase.
Lojtarja më e dalluar për Çairin ishte Teodora Gulicoska, me nëntë gola, ndërsa Stefani Gjorgjievska shënoi tetë dhe Sofia Çavar pesë. Në radhët e Metalurg Autokomanda, shënuesja më e mirë ishte Marija Jankulovska me plot 14 gola.