Kështu po ‘mbytet’ Vaksinca, përdersia institucionet heshtin, banorët janë të revoltuar

4 Min. Leximi
Në hyrje të fshatit Vaksincë, në Komunën e Likovës, janë krijuar mini-deponi që mbulojnë fushat me mbeturina. Kjo situatë shqetësuese përhapet brenda fshatit dhe përgjatë rrugës që lidhet me Sllupçanin. Disa banorë të fshatit u ankuan në redaksinë e Portalb.mk, duke kërkuar pastrimin e menjëhershëm të mbeturinave për shkak të pamjes së shëmtuar dhe rrezikut për mjedisin.

Këto pamje shqetësuese kanë nxitur ankesa nga banorët e Vaksincës, të cilët thonë për Portalb.mk se autoritetet nuk po marrin masat e duhura, përderisa disa banorë të papërgjegjshëm i hedhin mbeturinat gjithandej.

“Është e papranueshme që mbeturinat të hidhen pranë çezmës, sepse uji i pastër që na shërben për nevojat e përditshme mund të ndotet dhe të rrezikojë shëndetin e të gjithëve,” tha një banore.

 

 

“Kur secili hedh mbeturina pa menduar, fshati humbet bukurinë. Kjo rrezikon edhe kafshët që kemi rreth shtëpive. Mendoj se autoritetet lokale duhet të kryejnë kontrolle të rregullta për menaxhimin e mbetjeve dhe të sigurojnë që rregullat të respektohen.” u ankua një tjetër banor.

“Është skandaloze që mbeturinat të hidhen në fusha, duke shkatërruar tokën dhe bimët që kultivojmë. Banorët duhet të kenë kujdes dhe të mos i hedhin mbeturinat vend e pa vend. Kjo sjellje e papërgjegjshme duhet të ndalet,” theksoi një banor tjetër.

Mbeturina të grumbulluar në çezmen e fshatit Vaksincë, rrugës për në Sllupçan. Foto nga Portalb.mk
Mbeturina të grumbulluar në çezmen e fshatit Vaksincë, rrugës për në Sllupçan. Foto nga Portalb.mk

Pyetëm Komunën e Likovës nëse janë në dijeni për grumbullimin e këtyre mbeturinave dhe kur planifikojnë t’i pastrojnë, por deri në publikimin e këtij teksti nuk morëm përgjigje.

Po ashtu, as nga Ndërmarrja Publike Komunale “Pisha” nuk morëm përgjigje.

Mbeturina të hedhura në një fushë brenda fshatit Vaksincë. Foto nga Portalb.mk
Mbeturina të hedhura në një fushë brenda fshatit Vaksincë. Foto nga Portalb.mk

17 gusht, komuniteti i fshatit Vaksincë, përmes një postimi në Facebook, u bëri apel qytetarëve që të kujdesen për pastërtinë, duke theksuar se “Vaksinca jonë është shtëpia jonë” dhe se vetëm me përkushtimin e secilit mund ta bëjnë fshatin një vend të shëndetshëm dhe shembullor.

19 gusht, një tjetër postim në Facebook nga një bashkëfshatar ndau pamje nga ara e tij, duke rikujtuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

Kujtojmë se për më shumë se dy dekada nuk është gjetur zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak, ku banorët kanë humbur shpresat dhe janë të shqetësuar për shëndetin e tyre. Ndonëse Komuna e Likovës në qershor 2025 u justifikua në qershor se pastrimi i deponive të egra bëhet rregullisht, por që vazhdimisht kanë probleme.

Kujtojmë gjithashtu se në nëntor të vitit 2024, në Liqenin e Gllazhnjës në Likovë u krijua një deponi e egër e stërmbushur me mbeturina, dhe pavarësisht premtimeve nga Inspektorati Komunal për pastrim, nuk u ndërmorën masa.

Përndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi monitoron deponitë e krijuara përreth Komunës së Likovës. Si rezultat i shkrimeve tona, më 27 mars 2025 u bë pastrimi i deponisë së egër në fshatin Sllupçan nga NPK ”Pisha”. 

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull