Këshilli i Qyteti të Sarajevës i bashkohet procedurës penale në Milano kundër snajperistëve që qëlluan civilët

3 Min. Leximi

Këshilli i Qytetit të Sarajevës pritet që nesër të marrë vendim për dhënien e pëlqimit që Qyteti i Sarajevës t’i bashkohet si palë e dëmtuar një procedure penale që po zhvillohet në Milano, kundër personave të përfshirë në të shtënat me snajper ndaj civilëve të Sarajevës gjatë luftës.

Me këtë vendim, Qyteti i Sarajevës do t’i bashkohet zyrtarisht procedurës penale që po zhvillohet para organeve kompetente gjyqësore në Milano, e cila është iniciuar ndaj shtetasve italianë të dyshuar për pjesëmarrje në krime të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës.

Vendimi parasheh gjithashtu autorizimin e kryetarit të Bashkisë së Sarajevës dhe Avokaturës së Qytetit që, brenda kompetencave të tyre, të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore, teknike dhe administrative për përfshirjen e Qytetit të Sarajevës në këtë procedurë penale në cilësinë e palës së dëmtuar.

Procedura në Milano është konfirmuar përmes një shkrese zyrtare të datës 18 dhjetor 2025, të dërguar nga Konsullata e Përgjithshme e Bosnjë e Hercegovinës në Milano, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH-së, e cila i është dorëzuar Qytetit të Sarajevës më 29 dhjetor 2025.

Në shkresë theksohet se para organeve kompetente në Milano është hapur një procedurë penale kundër shtetasve të Italisë, të dyshuar se kanë marrë pjesë në të shtënat me snajper ndaj civilëve në Sarajevë.

Hetimi është iniciuar nga gazetari investigativ italian Ezio Gavazzeni, në bashkëpunim me ish-gjykatësin penal Guido Salvani, ndërsa procedurën hetimore e udhëheq prokurori Alessandro Gobbis. Palën e dëmtuar e përfaqëson avokati Nicola Brigida, i cili po e ofron përfaqësimin pro bono.

Sipas Konsullatës së Bosnjë e Hercegovinës në Milano, avokati Brigida ka kërkuar zyrtarisht nëse Qyteti i Sarajevës dëshiron të përfshihet në këtë procedurë si palë e dëmtuar.

Në përputhje me legjislacionin penal, pala e dëmtuar ka kompetenca të kufizuara procedurale, por edhe një rol të rëndësishëm, veçanërisht në fazën e hetimit, ku mund të paraqesë kërkesa për dëmshpërblim, të veprojë si ndihmëse e prokurorisë, të propozojë prova dhe të kontribuojë në zbardhjen e plotë të rastit.

Po ashtu, gjatë shqyrtimit gjyqësor, pala e dëmtuar mund të thirret si dëshmitare, të paraqesë kërkesë pasurore-juridike, të mbajë fjalën përfundimtare dhe të ushtrojë të drejtën e ankesës ndaj vendimit.

Në dokumentacion theksohet se veprimet e snajperistëve gjatë luftës, të cilët qëllonin mbi civilë të paarmatosur në Sarajevë, përbëjnë një traumë të thellë individuale dhe kolektive për qytetin, duke lënë plagë të përhershme. Gjatë rrethimit të Sarajevës, mbi 11 mijë civilë humbën jetën, mes tyre një numër i madh fëmijësh.

Ndjekja penale dhe ndëshkimi i përgjegjësve konsiderohet si një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e vlerave themelore shoqërore, ruajtjen e rendit juridik, si dhe për drejtësinë ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. /Vijesti/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull