Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) po ndërmerr aktivitete për të konstatuar nëse një i punësuar i tyre ka keqpërdorur e-mailin dhe telefonin zyrtar për të sponsorisuar postimet e kandidatit për Komunën e Çairit Bujar Osmani, ashtu siç u publikua në disa media të vendit.
“Informojmë se njësiti kompetent organizativ ndërmerr aktivitete përkatëse për konstatimin e përgjegjësisë eventuale disiplinore, në pajtueshmëri me ligjet në fuqi dhe procedurat interne”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Sipas portalit Plus info, postimet e sponsorizuara i ka bërë i punësuari Memet Zhaku, i cili është shef i fushatës së Bujar Osmanit për kryetar të Çairit, ndërsa ka qenë shef i shtabit derisa ka garuar për president. Nga MPJ konfirmojnë se Zhaku është i punësuar në këtë resor, në pozitën e këshilltarit special.
Ndërkohë, Osmani, ka zgjedhur të heshtë përballë shkrimeve mediatike.
Çështja e keqpërdorimit të resurseve shtetërore për nevoja partiake, është temë që riaktualizohet gjatë çdo cikli zgjedhor. Nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, paraprakisht njoftuan se në Regjistrin e Makinave të institucioneve shtetërore, ato të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjeve publike apo subjekteve të tjera juridike që posedojnë kapital, kanë paraqitur të dhëna vetëm për 1.916 makina nga gjithsej 6.500. Nga Qeveria bëjnë thirrje që të gjitha institucionet të dorëzojnë numrin e saktë të makinave.
Ndërkohë, ka paralajmërime nga Qeveria se makinave zyrtare do t’u vendosë targa me ngjyrë me qëllim që të dallohen dhe të parandalohet keqpërdorimi i tyre. /Alsat.mk