Kënd për fëmijë hapet në Burgun e Idrizovës me mbështetje të BE-së dhe Këshillit të Evropës

2 Min. Leximi

Institucioni Ndëshkues – Përmirësues i Idrizovës, burgu më i madh në Maqedoninë e Veriut, ka inauguruar një kënd të veçantë për fëmijë, i dedikuar vizitorëve të vegjël dhe familjeve të të dënuarve. Këndi, i vendosur në hapësirën e vizitave, ofron një mjedis të sigurt dhe të ngrohtë gjatë takimeve familjare. Hapja u bë sot nga përfaqësues të institucioneve kompetente, Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.

Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, theksoi rëndësinë e këtij këndi në procesin e risocializimit, duke nënvizuar se Idrizova është burgu i vetëm ku dënimet i vuajnë edhe të burgosurat. “Përfitimet reale të këtij donacioni janë shumë më të mëdha se vlera financiare”, deklaroi Pandov, duke falënderuar BE-në dhe Këshillin e Evropës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.

Në fjalimin e tij, Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, përmendi raportin e fundit të Komisionit Evropian për vendin, ku theksohet nevoja e vazhdueshme për përmirësimin e kushteve në burgje, veçanërisht në Idrizovë.

Gjithashtu, Boshkovski nënvizoi se kjo nismë pasqyron përpjekjet e autoriteteve për të zbatuar rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga viti 2018, lidhur me nevojat e fëmijëve të prindërve që po vuajnë dënime me burg.

Nisma realizohet në kuadër të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”, përmes projektit “Forcimi i Kapaciteteve të Sistemit Penitenciar në Maqedoninë e Veriut”. Bashkëpunimi përfshiu Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve dhe INP Idrizovë, të cilët kontribuan duke lyer muret dhe duke përshtatur hapësirat për fëmijët.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull