Kryetari aktual i Komunës së Tetovës dhe kandidati për një mandat të dytë, Bilall Kasami, ka zhvilluar një takim me biznesmenin nga Tetova, Harun Zejneli, i cili jeton dhe vepron në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, shefi i shtabit të përgjithshëm të VLEN, Adnan Azizi, po edhe shefi i shtabit lokal Zgjedhorë njëherit edhe Ministër i Ekonomisë, Besar Durmishi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kasami bëri të ditur se biseda me Zejnelin ishte e përqendruar në zhvillimet politike dhe shoqërore, me theks të veçantë në kontributin e diasporës shqiptare dhe transformimin që, sipas tij, ka pësuar Tetova gjatë katër viteve të fundit.
“Mbrëmë kisha kënaqësinë që, së bashku me kryeparlamentarin Afrim Gashi, të qëndroj në konakun e biznesmenit nga Tetova Harun Zejneli, i cili jeton dhe vepron në Çikago. Biseduam gjerë e gjatë për zhvillimet shoqërore e politike, për rolin e diasporës sonë të çmuar dhe për ndryshimin e Tetovës në këto 4 vjet,” shkruan Kasami.
Ai falënderoi Zejnelin për mikpritjen e ngrohtë dhe atmosferën e këndshme, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve të forta me komunitetin shqiptar në diasporë.
