Për deklaratat që pati ministri Ivan Stoillkoviq, u pyet edhe i pari i Lëvizjes Besa njëherit edhe kryetar i Komunës së Tetovë, Bilall Kasami, që siç tha, duhet përgjegjësi dhe ndjeshmëri për pozicionin që bartë dhe shtoi se, Stoillkoviq nuk është ministër vetëm i popullit serb por i të gjitha komuniteteve në Maqedoni.
“Nuk është hera e parë që persona të caktuar uzurpojnë institucione të caktuara për të shprehur qëndrimet e tyre personale. Kur flasim për bartës të një pozite publike dhe një institucioni publik, ne duhet të kemi ndjeshmërinë e institucionit që përfaqësojmë. Uroj që këto të jenë komente të fundit të ministrit në fjalë sepse ai duhet të ketë përgjegjësi të pozitës që bartë. Por duhet të ketë edhe ndjeshmërinë e konceptit multietnik. Ai nuk është ministër vetëm i popullit serb, por është ministër i të gjitha komuniteteve në Maqedoni”, tha Kasami.