Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka mirëpritur sot në ambientet e komunës nxënësit e paraleleve me mësim në gjuhën turke, me rastin e shënimit të Ditës së Arsimit Turk në Maqedoninë e Veriut.
Kasami ka theksuar se arsimi dhe mirëqenia e nxënësve mbeten ndër prioritetet kryesore të pushtetit lokal, duke nënvizuar se Komuna e Tetovës është e angazhuar në përmirësimin e kushteve infrastrukturore në shkolla, në mënyrë që nxënësit të zhvillojnë procesin mësimor në ambiente bashkëkohore dhe dinjitoze.
Gjatë takimit, kryetari i komunës ka bashkëbiseduar me nxënësit edhe për funksionimin e pushtetit lokal, duke e cilësuar atë si një urë lidhëse mes institucioneve komunale, shkollave dhe nxënësve.
Takimi u zhvillua në një atmosferë pozitive, duke reflektuar rëndësinë e arsimit shumëgjuhësor dhe respektin institucional ndaj komuniteteve që kontribuojnë në mozaikun arsimor dhe kulturor të vendit.

