Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka marrë pjesë sot në aksionin e pastrimit “Fundjavë gjenerale”, së bashku me të punësuarit në administratën komunale, drejtorët e ndërmarrjeve, punonjësit e ndërmarrjeve publike si dhe me nxënës e staf të shkollave të mesme të qytetit.
Qëllimi i aksionit, sipas Kasamit, është sensibilizimi i opinionit për të pasur një qytet më të pastër dhe për të nxitur kujdesin kolektiv ndaj ambientit.
“Është e pamundur që të punësuarit në Ndërmarrjen Komunale Publike të mbajnë qytetin të pastër nëse edhe ne si qytetarë nuk kujdesemi për ambientin që na rrethon,” shkruan Kasami në një status në rrjetet sociale.
Ai theksoi se gjatë ditës së sotme janë mbledhur mbi 200 qese me mbeturina vetëm përgjatë rrugëve të qytetit, çka tregon – sipas tij – se me përfshirje të gjerë, pastrimi i Tetovës është i mundur dhe i realizueshëm.
Kasami shtoi se transformimi i Tetovës është një proces që po zhvillohet çdo vit dhe se Komuna do të vazhdojë të mbështesë dhe të marrë pjesë në çdo aksion për një ambient të pastër e të gjelbër.