Një zyrtar i lartë është arrestuar në një aksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nën dyshimin për marrje ryshfeti në vlerë prej 50 mijë eurosh, percjell Zyrtare.
Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për drejtorin e Inspektoratit Shtetëror për Bujqësi, Vase Anakiev, i cili është kapur gjatë kërkimit dhe pranimit të ryshfetit në vlerë prej rreth 50.000 eurosh.
I dyshuari për një periudhë disa mujore ka pranuar para për të ndërmjetësuar dhe për të ushtruar ndikim tek një gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup, me qëllim që të realizohej një veprim që nuk lejohet me ligj. 
Fillimisht ai kishte kërkuar 100 mijë euro, ndërsa gjatë periudhës tetor-dhjetor ka marrë gjithsej 50 mijë euro. Një pjesë e parave, rreth 30 mijë euro, i janë dorëzuar më herët, ndërsa pjesa tjetër prej 20 mijë eurosh është marrë në momentin e fundit. 
Menjëherë pas pranimit të parave, ai është kapur në flagrancë nga policia dhe është privuar nga liria, ndërsa mjetet financiare janë sekuestruar. 
Prokuroria ka nisur procedurë hetimore për veprën penale “pranim shpërblimi për ndikim të paligjshëm”, ndërsa për të dyshuarin është kërkuar edhe masa e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit në procesin hetimor. 

