Shkup, 20 gusht – Në realitetin tonë politik e shoqëror qytetarët janë mësuar t’i dëgjojnë premtimet me skepticizëm apo dozë rezerve pra pa u besuar plotësisht. Kjo jo pa arsye por përshkak se ka pasur premtime të shumta gjatë dekadave të fundit kanë mbetur të parealizuara, duke gërryer besimin te institucionet dhe tek klasa politike. Por, nëse fjala e dhënë nga zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, për ndërtimin e Kampusit Universitar “Nënë Tereza” dhe parkingut nëntokësor në Sheshin Skënderbeu, kthehet në realitet, atëherë qytetarët dhe studentët e Shkupit do të fitojnë shumë më tepër se dy projekte infrastrukturore do të fitojnë një perspektivë të re për zhvillim, arsim dhe mirëqenie, shkruan Zhurnal.
Kampusi Universitar investim në dije dhe të ardhmen e brezave –
Një shoqëri që nuk investon në arsim, nuk ka të ardhme të gjatë e as të sigurt, por që nuk gëzon as të tashme produktive. Ndaj, projekti i Kampusit Universitar “Nënë Tereza”, i cili parashikon përqendrimin dhe modernizimin e institucioneve universitare, është një hap që do ta vendosë Shkupin në një nivel të ri akademik. Aktualisht, studentët përballen me mungesë hapësirash të përshtatshme, infrastrukturë të vjetëruar dhe kushte jo adekuate për kërkim shkencor. Me ndërtimin e një kampusi modern, do të krijohen jo vetëm ambiente mësimore bashkëkohore, por edhe mundësi për laboratorë kërkimorë, biblioteka, hapësira sociale e kulturore.
Ky projekt ka potencial të bëhet qendra e dijes për të gjithë rajonin, duke tërhequr jo vetëm studentë vendas, por edhe nga jashtë vendit. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e arkitekturës apo ndërtimeve është çështje e investimit strategjik në kapitalin njerëzor, pra në vetë bazën mbi të cilën ngrihet zhvillimi i një vendi.
Parkingun nëntokësor Sheshi Skënderbeu si hapësirë publike –
Në anën tjetër, projekti i parkingut nëntokësor në zemër të Shkupit, në Sheshin Skënderbeu, është një zgjidhje urbane për një problem që prej kohësh e ka lodhur qytetin mungesën e parkimit dhe trafikun e ngarkuar. Për qytetarët e Shkupit, gjetja e një hapësire parkimi është shpesh stres i përditshëm. Kjo krijon jo vetëm pakënaqësi por edhe kaos në rrugë, ndotje dhe humbje kohe.
Një parking nëntokësor, i projektuar me standarde moderne, do të lehtësonte ndjeshëm trafikun dhe njëkohësisht do të çlironte sipërfaqe të çmuara publike mbi tokë. Sheshi Skënderbeu, një simbol i rëndësishëm historik e kulturor, do të marrë frymë ndryshe kur hapësirat mbi tokë të shfrytëzohen për gjelbërim, për ngjarje kulturore dhe për jetën publike të qytetarëve. Në këtë mënyrë projekti nuk është thjesht një investim në beton, por një investim në cilësinë e jetesës.
Pse këto projekte janë më shumë se premtime politike?
Shuma prej 65 milionë eurosh e siguruar nga buxheti shtetëror nuk është një investim i zakonshëm. Është një deklarim i qartë se Shkupi ka nevojë për modernizim dhe për një strategji afatgjatë. Nëse realizohen këto projekte do të ndikojnë në më shumë nivele si arsimor, ekonomik, e shoqëror.
Nëse premtimet e Mexhitit mbahen atëherë qytetarët dhe sidomos studentët do të jenë përfituesit kryesorë. Për kjo do të thotë kushte më të mira studimi, një jetesë universitare më dinjitoze, më pak stres nga infrastruktura e munguar dhe më shumë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendlindje, pa u detyruar të emigrojnë. Për qytetin, kjo do të thotë një hap përpara drejt urbanizimit evropian, larg kaosit dhe improvizimit që ka mbizotëruar deri tani.
Kujtojmë që, shpesh premtimet e politikanëve tingëllojnë bukur por fati i tyre përfundon në fjalë të paqëndrueshme. Por në rast se projekti i Kampusit Universitar “Nënë Tereza” dhe parkingut nëntokësor merr jetë, atëherë do të flasim për një ndryshim të prekshëm, të dukshëm dhe të qëndrueshëm. Dhe atëherë do të kemi të drejtë të themi se ky nuk është vetëm një investim prej 65 milionë eurosh është një fitore e madhe për qytetarët dhe studentët, është një fitore për të ardhmen e Shkupit. /Zhurnal.mk